Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbledhur disa nga figurat më të rëndësishme të partisë së tij në një tavolinë pasi tha se është i shqetësuar me gjendjen aktuale të qeverisjes nga Kurti.
Ai tha se kanë diskutuar zgjidhjet e duhura për të dalë nga kjo gjendje, e të cilat dëshiron t’i përfshijë në planin qeverisës së partisë së tij.
“Aleanca është e shqetësuar me këtë gjendje të pashpresë e cila kërkon zgjidhje urgjente. Në këtë frymë sot kishim një diskutim pune për dështimet e kësaj qeverie dhe për zgjidhjet e duhura që të përfshihen në planin qeverisës të Aleancës, të cilin do ta diskutojmë nesër në Kryesinë e partisë”, ka shkruar Haradinaj.
Pasi u bë e ditur nga Qeveria e Kosovës se nuk do të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit grevistë, Haradinaj tha se zhvillimet politike, ekonomike e sociale në Kosovë nuk kanë qenë asnjëherë më të dëmshme për vendin sesa sot.
“Çdo vendim i qeverisë është orientuar kundër interesave të qytetarëve e shembulli më eklatant i kësaj është penalizmi i rreth 20 mijë mësimdhënësve duke mos u dhënë pagat”.