Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë, se ka arritur të heqë nga rendi i ditës anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Lajmi se Serbia ka arritur t’i bindë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, që kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të mos jetë në agjendën e takimit të sotëm të Komitetit të Ministrave në Strasburg, është hedhur poshtë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.
Në përgjigje për Radio Kosovën, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se Kosova nuk ka qenë e paraparë në agjendën e sotme të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, në nivel të ambasadorëve.
Ahmeti tha se kjo është dezinformatë e radhës nga Serbia.
Gjatë ditës është raportuar nga media të ndryshme në Serbi, kinse ky vend ka bllokuar përfshirjen e Kosovës në agjendën e KiE-së.
Megjithatë, nga zyrtarë të KiE-së kanë thënë se diskutimet e Komitetit të Ministrave janë konfidenciale.
Kërkesën zyrtare për pranim në Këshillin e Evropës, Kosova e ka dorëzuar me 12 maj të këtij viti.