Kosova është i vetmi vend i izoluar në Ballkanin Perëndimor që nuk përfiton nga liberalizimi i vizave me BE-në.
Lidhur me këtë vonesë të vizave për Kosovën znj. Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së për çështjen e vizave në bisedë për gazetën zvicerane në shqip Le Canton27.ch thotë se “Në korrik 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i përmbush të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Vlerësimi ynë është ende i vlefshëm. Pas votimit të favorshëm të Parlamentit Evropian në vitin 2019, tani i takon shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që ta çojnë përpara këtë çështje. Ne i inkurajojmë ata që t’i japin fund kërkesës për vizë për Kosovën…”
Megjithatë cështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk ka qenë kurrë më afër se sa sot.
Kjo temë do të jetë në agjendën e mbledhjes së grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor, i kanë thënë zyrtarët e BE-së redaktorit të gazetës zvicerane Le Canton27.ch i cili mori pjesë në konferencën e fundit në selinë e BE-së në Brukesl drejtuar nga shefi informacionit Eric Mamer.
Se a do të ndodhë liberalizimi vizave në këtë vit zyrtarja e BE-së në vazhdim përgjigjet se “ne ofrojmë rregullisht një pasqyrë të performancës së Kosovës në fusha të ndryshme që lidhen me standardet si pjesë e raporteve të zgjerimit. Një pasqyrë e përditësuar është dhënë më 19 tetor 2021, e cila tregon se Kosova ende i përmbush standardet. Për të mbështetur vendimmarrjen nga shtetet anëtare, këtë vit do të paraqesim raportin tonë për zgjerimin e vitit 2022, së bashku me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave”.
Tema e liberalizimit të vizave për Kosovën duhet të diskutohet në mbledhjen e grupit punues të Këshillit Evropian, i cili do të takohet më 13 tetor të këtij viti.
A mund të ndodh apo të shtyhet sërish liberalizimi i vizave si zakonisht, deri në vitin e ardhshëm?
“Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, që paraqet një gjendje të përditësuar të lojës në fushat që kanë të bëjnë me kriteret e liberalizimit të vizave, në mënyrë që të mbështesë diskutimet brenda Këshillit. Ne besojmë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, është deklaruar Anitta Hipper.