Në lidhje me hetimet për rastin “Brezovica”, Policia e Kosovës të mërkurën rreth orës 15:00 ka arrestuar Bajram Gashanin, pronar i një biznesi të madh.
Lajmin për ndalimin e Gashanit e ka konfirmuar Rasim Maloku, prokurori i rastit “Brezovica”.
I kontaktuar nga kallxo, prokurori Maloku vetëm e ka konfirmuar arrestimin e biznesmenit.
Dosja “Brezovica” deri më tani ka dërguar prapa grilave mbi 30 persona, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, përgjegjës për ndërtimin e mbi 500 vilave dhe hoteleve në zonën e mbrojtur të maleve të Sharrit.
Dosja ngre dyshime për një aferë ku besohet të jenë kërkuar mbi 20 milionë euro ryshfet nga zyrtarë e kompani të ndryshme të ndërtimit.
Deri më tani Prokuroria ka bllokuar prona në vlerë mbi 5 milionë euro, të cilat po mbahen të sekuestruara për llogari të këtij hetimi.
Gjatë këtij operacioni janë arrestuar 7 të dyshuar, janë sekuestruar prova të ndryshme, përfshirë armë dhe vetura.