Deputeti Ardian Gola ka thënë se zgjidhja e propozuar nga Ministria e Arsimit për procedimin e pagave të muajit shtator për mësimdhënësit, “është më e mira” për të arritur kompromis për krizën.
Gola, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se pikërisht në propozimin e ministres Nagavci për procedimin e pagave të muajit shtator në formë të avansit, ai ka parë “ndjeshmërinë e së majtës”.
“Ndjeshmërinë e të majtës unë e kam pa mënyrën se si të dilet nga situata, e ajo është: Unë po ta japë pagën në avans, por në të njëjtën kohë dua zotim për atë avans që po e japë. Kjo mendoj se është mënyra më e mirë për të arritur një kompromis”, tha Gola.
“Nuk e shoh të pamundshme që ministrja Nagavci së bashku me SBASHK-un të gjejnë një modul për kompensimin e orëve”, tha ai.
Ai ka thënë se zëvendësimi i orëve duhet të bëhet përmes një planifikimi të mirëpërgatitur nga Ministria dhe SBASHK-u.
“Zëvendësimi i orëve të bëhet në mënyrë të planifikuar dhe paraprakisht përmes një avansi, siç e ka treguar gatishmërinë e vet qeveria për të tejkaluar një situatë e cila është e rëndë”, tha ai.
“Unë e kuptoj çmimin tepër të madh që Lëvizja Vetëvendosje si qeveri e majtë është duke e paguar si rezultat i konsistencës qeverisëse dhe mungesës së përllogaritjes elektorale për të administru një grevë të cilën po e shohim, ama përpjekja për t’i dhënë fund një praktike abuzive që me një lehtësi të padurueshme mban peng fëmijët, nuk punon dhe kërkon kompensim për punë, mendoj se do duhej me i dhënë fund”, ka thënë Gola.