Shefi grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri duke iu referuar projektligjit për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, i cili është miratuar dje në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ka shkruar se si mund të kryhen “krime të luftës” pasi që lufta të ketë marrë fund?
Tahiri ka shkruar në Facebook se Serbia ka kryer krime lufte e gjenocid në Kosovë deri në qershor të vitit 1999.
“Hulumtimi i krimeve të luftës duhet të vazhdojë e të institucionalizohet. Por përpjekja e Qeverisë së Albin Kurtit, për ta bërë një ligj që synon të hetojë e hulumtojë “krimet” që ndërlidhen me luftën deri me datën 31 dhjetor, 2000, është përpjekje që i shkon përshtat pikërisht atyre që janë përgjegjës për gjenocidin në Kosovë. 31 dhjetori i 2000-tës, është epitomë e Serbisë që përpiqet t’ia ndërrojë kahjen historisë dhe të gjejë amnisti për gjenocidin e kryer. Ne do ta kundërshtojmë me çdo mjet politik tjetërsimin e historisë përmes ligjeve të dëmshme, antihistorike e antikombëtare”, ka shkruar ai.
Përndryshe, në projektligj parashihet të hulumtohen dhe dokumentohen krimet para luftës, gjatë dhe pas saj.