​Kurti: Strukturat paralele janë bërë më agresive, dialogu në fazë të re

Aktuale

​Kurti: Strukturat paralele janë bërë më agresive, dialogu në fazë të re

Më: 9 tetor 2022 Në ora: 12:53
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se strukturat paralele në veri janë bërë më agresive pas pushtimit rus në Ukrainë. Ai tha se këto struktura të paguara nga Beogradi janë shkaku i problemeve të popullsisë serbe në veri. Megjithatë në lidhje me dialogun, shefi ekzekutiv u shpreh optimist pasi tha se ky proces ka hyrë ën fazë të re, njëjtë siç u shpreh optimist edhe për liberalizimin e vizave.

Këto deklarata Kurti i bëri në Seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën "Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme".

Në këtë seminar, kryeministri i Kosovës shprehu ambicien për të shtuar shpenzimet për ushtrinë në 2% të Bruto Produktit Vendor në tre vitet e ardhshme. Ai tha se duam të ndërtojmë një ushtri të denjë për NATO-n, ndërsa ftoi të gjitha vendet anëtare për të ndihmuar Kosovën në këtë drejtim dhe për të pranuar Kosovën në programin e Partneritetit për Paqe.

Kurti: NATO të na ndihmojë për të rritur kapacitetet e FSK-së

“Tani qëndrojmë në nivelet e shpenzimeve prej 1.4% te Bruto Produktit Vendor për Forcat e Armatosura dhe duam të arrijmë shifrën prej 2% në dy-tre vitet e ardhshme kjo nuk do të jetë e lehtë ... Nuk duam të krijojmë një ushtri që do të bëhet barrë për NATO-n por duam të bëhemi pjesë e NATO-s nuk dua të kemi diçka që do të shndërrohet në pengesë për anëtarësim në NATO... Kemi ndërtuar një Forcë të Sigurisë duke pasur parasysh madhësinë e vendit, në kuptim të territorit, popullatës e kështu me radhë, por gjithashtu duhet të kemi parasysh të mos harrojmë fqinjësinë tonë… Kosova ka mundësi të jap kontribut të madh por gjithashtu edhe NATO-ja duhet të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e programit të Partneritetit për Paqe... Ne duam të rrisim ushtrinë, kapacitetet dhe aftësitë tona që nënkuptojnë pajisjet e reja ushtarake, trajnime të reja për Forcën tonë të Sigurisë”, u shpreh Kurti.

Duke u ndalur tek liberalizimi i vizave, Kurti u shpreh se skepticizmi i disa vende tashmë nuk ka bazë pas punës që është bërë në luftimin e korrupsionit dhe sundim të ligjit.

Kurti: Shpresoj të marrim liberalizimin e vizave

“Është përmirësuar imazhi i vendit tonë, kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe tani varet nga gjithsecili vend anëtar i Bashkimit Evropian që t'i japë fund skepticizmit për shkak se nuk ka bazë objektive për këtë kundërshtim më. Shpresoj që përfundimisht do ta marrim liberalizimin vizave dhe ritheksoj që madje kur kemi qenë ose jemi kritikë ndaj BE-së kjo nuk është asnjëherë të interpretohet se jemi duke shikuar ndonjë alternativ tjetër. Ne nuk kemi alternativë tjetër përpos BE-së dhe NATO-s dhe as që jemi duke kërkuar ndonjë alternativë tjetër sepse nuk ka alternativë tjetër për ne”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti përsëriti se nuk ka probleme me popullsinë serbe që jetojnë në Kosovë, por me strukturat paralele që financohen nga Beogradi e që sipas tij janë bërë më agresive pas luftës në Ukrainë.

Kurti: Strukturat paralele janë bërë më agresive pas pushtimit rus në Ukrainë

“Strukturat ilegale të Serbisë, dhe në përgjithësi veteranët e luftës të Serbisë, janë bërë më agresivë gjatë këtij viti që prej pushtimit dhe agresionit ushtarak mbi Ukrainën sepse në përgjithësi të gjitha apo shumica e tyre janë pro-Putinit. Ata e konsiderojnë luftën e Rusisë në Ukrainë si një mundësi për ta. Shumë prej tyre kanë qenë në listën e zezë nga Thesari i SHBA dhe disa prej tyre kanë urdhër arresti nga qeveria jonë, mirëpo asnjëherë nuk vë shenjën e barazimit ndërmjet njerëzve dhe shtetit, as ndërmjet popullatës dhe strukturave, kjo e bën dallimin", deklaroi Kurti.

Duke u ndalur te dialogu, Kurti u shpreh se procesi ka hyrë në një fazë të re prej gushtit të këtij viti dhe kjo e bën optimist. Sipas tij, tashmë njohja e ndërsjellë është në qendër dhe jo në fund të procesit çka e motivonte Serbinë për të shtyrë sa më shumë bisedimet.

Kurti: Jam optimist për fazën e re të dialogut

“Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash, pra dialog për të dialoguar, por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re që prej 18 gushtit të këtij viti. Kjo është një fazë e re sepse tema e parë në zyrën e zotit Borrell ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pra dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë kornizë të përgjithshme. Jam shumë më optimistë sepse krahasuar me të kaluarën, ose për dallim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe po e shndërronte këtë qasje në motivim për ta vonuar procesin, për zvarritje sepse nëse i thoni Serbisë pavarësia do të vijë në fund, ju inkurajoni Serbinë që të shtyjë fundin, mirëpo tani, njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por është në qendër të marrëveshjes, jo në fund të procesit, por në qendër të marrëveshje, nuk po them se nuk do të ketë edhe terma e pika të tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë”, vijoi Kurti.

Të pranishmit në seminar e kanë pyetur Kurtin edhe rreth pronave të Manastirit të Deçanit, të cilat nuk i kanë kaluar në pronësi, kërkesë kjo edhe e ndërkombëtarëve, pas një vendimi shumë të diskutuar të Kushtetueses.

Kurti u shpreh se duhet dialog edhe me përfaqësuesit e Manastirit dhe tha se edhe kjo çështje mund të zgjidhet.

Kurti: Optimist për të zgjidhur çështjen e pronave të Manastirit të Deçanit

“Në rastin e Manastirit të Deçanit janë 24 hektarë të cilat u dhanë asaj para 25 vitesh nga ana e regjimit të Millosheviqit. Neve kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese por po ashtu ka edhe disa lëndë administrative në lidhje me këtë prona, dhe besoj që kjo çështje do të zgjidhet dhe jam optimist. Mirëpo, është me rëndësi që të kemi edhe një dialog ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve fetare në Manastirin e Deçanit. Jam kryeministri i parë i Republikës së Kosovës i cili nuk pranohet në takim me priftërinjtë ortodoksë në Manastir. Ata janë takuar me të gjithë pararendësit e mi po jo me mua. Kështu që kam kërkuar të takohem me ta dhe më refuzojnë. Besoj se mund të përfshihemi në dialog me ta dhe të zgjidhim të gjitha problematikat që i kemi. Ne duam të ruajmë dhe të mbrojmë Manastirin e Deçanit i cili është trashëgimi kulture e të gjithë qytetarëve dhe ne kemi përgjegjësi për ta mbrojtur atë”, tha Kurti.

Kurti në këtë seminar ka folur edhe për të arriturat e qeverisë që drejton në të gjitha fushat.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat