Ekskluzive/ Lista me shifrat marramendëse: Ja sa janë paguar avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit, Mustafës...

Aktuale

Ekskluzive/ Lista me shifrat marramendëse: Ja sa janë paguar avokatët e Thaçit, Veselit, Selimit, Krasniqit, Mustafës...

Nga: P.R Më: 9 tetor 2022 Në ora: 17:58
Selia e Gjykatës Speciale

Ministria e Drejtësisë e cila menaxhon fondin shtetëror për të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara, ditë më parë për gazetën “Bota sot” zbuloi se deri më tani janë shpenzuar 12 milionë e 562 mijë e 106 euro (12,562,106.89) për të akuzuarit e Speciales, e në të cilat janë të përfshira pagesat për avokatët, dhe shpenzimet për vizitat familjare.

12 milionë e 428 mijë e 162 euro (12,428,162.01), janë shpenzuar për pagesat e avokatëve për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Nasim Haradinajt dhe Hysni Ngucatit.

Sipas përgjigjes së Ministrisë për “Bota sot”, 66 mijë e 440 euro (66,440.31), janë shpenzuar për shpenzimet për familjarët, ku përfshihen ushqimi dhe akomodimi.

Ndërsa 67 mijë e 504 euro (67,504.57), janë shpenzuar vetëm bileta aeroplani për familjarët, të cilët kanë udhëtuar për vizita familjare në Hagë, aty ku po mbahen në paraburgim të akuzuarit nga Gjykata Speciale.

Por sa janë paguar veçmas avokatët e të akuzuarve të Gjykatës Speciale deri më tani? Nga përgjigja që Ministria e Drejtësisë ka dhënë për “Bota sot”, del se mbrojtja e Jakup Krasniqit i ka kushtuar më së shumti buxheti të Republikës së Kosovës. Kurse në vendin e dytë renditen avokatët e Hysni Ngucatit, të pasuar nga ata të Rexhep Selimit.

Sipas Ministrisë, për mbrojtjen e Hashim Thaçit, avokatët e tij janë paguar 1 milionë e 749 mijë e 101 euro (1,749, 101.02).

Avokatët e Jakup Krasniqit, deri më tani janë paguar me 1 milionë e 884 mijë e 250 euro ( 1,884, 250, 00).

E për avokatët e Kadri Veselit, nga buxheti i Kosovës janë paguar 1 milionë e 519 mijë e 724 euro (1,519,724,91).

1 milionë e 816 mijë e 700 euro (1,816,700.00) janë shpenzuar nga fondi shtetëror për të akuzuarit nga Dhomat e Specializuara për avokatët e Rexhep Selimit.

Kurse me 1 milionë e 300 mijë e 172 euro (1,300,172.14), janë paguar avokatët e Sali Mustafës, i njohur si komandant Cali.

E avokatët e Nasim Haradinajt, deri më tani janë paguar me 1 milionë e 634 mijë e 963 euro (1,634,963.94).

Për mbrojtjen e Hysni Ngucatit, i cili u dënua me katër vjet e gjysmë burgim bashkë me Nasim Haradinajn, avokatët e tij janë paguar me 1 milionë e 873 mijë e 250 euro (1,873,250.00).

E më së paku deri më tani janë shpenzuar për mbrojtjen e Pjetër Shalës. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, avokatët e Shalës deri më tani janë paguar me 650 mijë euro (650,000.00).

Kujtojmë se me 3 gusht të vitit 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës votoi pro themelimit të Gjykatës Speciale, ku më pas deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan edhe një ligj tjetër që ua garantonte të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

Ishte 5 nëntori i vitit 2020, dita kur Gjykata Speciale ngriti aktakuzat e para. Cak ishin Hashim Thaçi, ish president i Kosovës, Kadri Veseli, ish kryetar i PDK-së, Rexhep Selimi, ish shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, dhe Jakup Krasniqi, ish kryeparlamentar, të cilët nga Specialja akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përkrahës të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Poashtu, Specialja ngriti aktakuzë edhe ndaj Salih Mustafës, Pjetër Shalës dhe Nasim Haradinajt e Hysni Ngucatit, të cilët tashmë janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Image
Shpenzimet për Avokatët e të Akuzuarve pranë Gjykatës Speciale për periudhën 2021 deri 04.10.2022
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat