Cili do të jetë fati i asociacionit / A do ta fitojmë këtë betejë kundër Serbisë!

Aktuale

Cili do të jetë fati i asociacionit / A do ta fitojmë këtë betejë kundër Serbisë!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 9 tetor 2022 Në ora: 18:02
Albin Kurti me Borellin dhe Donika Gërvalla me Lajçakun, përballë

Një marrëveshje Kosovë-Serbi, sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, është e arritshme, ndoshta ndër herët e rralla nëse jo të vetme, që ai ka shprehur optimizëm.

Ai nuk ka folur për një afat kohor se kur mund të arrihet kjo, por ka folur me optimizëm, në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Prishtinë. “Jam shumë optimist”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu është shprehur se në takimin e fundit në Bruksel, me bisedimet për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ka filluar një fazë e re. "Pra, dialogim për marrëveshje. Do të diskutojmë për kornizë”, ka thënë Kurti.

Rreziqet

Ndërkohë, që ekspert të huaj, me analiza të ndryshme, japin vlerësime se gjërat mund të shkojnë në një rrugë jo krejt të qartë.

Kapllan, por edhe të tjerë mendojnë se serbët mund të arrijnë edhe një status autonomie në veri.

Ndërkohë, që në Kosovë, është një lloj heshtje dhe nuk ka analiza dhe vlerësime të qarta, se cilat duhet të jenë propozimet apo nëse institucionet tona duhet të jenë të vendosura, që të mos dilet përtej asociacionit, ashtu siç ka vendosur Gjykata Kushtetuese, duke hedhur poshtë më se 23 pika nga marrëveshja e bërë në Bruksel.

Ndërsa, është një grup tjetër, ithtar të lëshimeve, që Kosova të heq dorë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe që të vendosë në një mënyrë, qoftë edhe të re, duke i përfshirë në një mënyrë kërkesat e marrëveshjes në fjalë.

Ekziston edhe grupi tjetër, që mendon ende se projekt-marrëveshja që e përkrahte Hashim Thaçi, për ‘shkëmbim territori’ mund të jetë ende e mundshme, pavarësisht nëse do të kishte llogari Kosova për të, apo jo.

Që nga ardhja e kësaj qeverie, nuk ka pasur ndonjë rast të shprehjes së një optimizmi, por vetëm kërkesa.

Qeveria duhet që të vazhdojë konsistencën e saj në raport me zotimet dhe kërkesat, që kishte sa ishte në opozitë.

Po ashtu ajo ka mundësinë e fuqishme, që të përdorë parimet e vendosura nga presidenti amerikan Biden, se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të paprekshëm.

Ndërsa, në letrën e janari të vitit 2021, presidenti amerikan Biden theksonte se SHBA-të presin arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë që në qendër e ka njohjen e ndërsjellë.

Opozita

Është e habitshme, se si nuk ka fare qëndrime të artikuluara opozitare, qoftë që të këmbëngulin duke u bazuar në motivin se kur VV-ja ishte në opozitë bënte luftë të pakompromis për të penguar përmbushjen e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, më 2013 dhe 2015, duke i argumentuar se ishin antikushtetuese. Në fakt pjesë e kësaj beteje ishte edhe AAK-ja.

Derisa më në fund pas situatës së krijuar presidentja e vendit asokohe, Atifete Jahjaga me 30 tetor 2015, e pat dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila siç dihet pat gjetur se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Ato sot, nuk artikulojnë asnjë kundërshtim, nëse eventualisht mund t’i nënshtrohen presionit institucionet e Kosovës, për të tejkaluar, ato që janë arritur sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

PDK-ja dhe LDK-ja duke qenë vetë, përkatësisht kryeministrat respektiv të tyre, më shumë janë ithtare të arritjes së një marrëveshje që është edhe në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ato nuk ushtrojnë trysni, që kjo marrëveshje të mos përmbushet në kundërshtim me Kushtetutën.

AAK-ja, si shumëherë e paqëndrueshme në ballafaqimin me realitetin, është konfuze në qëndrimet e saj, dhe duket se nuk do të ushtrojë ndonjë trysni, që mund të bëjë të ndryshohet realiteti.

Vendimi i kushtetueses

Gjykata Kushtetuese vlerësonte se marrëveshja e 2015-ës nuk ishte në plotni me frymën kushtetuese.

“Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përshkruar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendim.

“Prandaj, Gjykata konstaton se akti juridik i Qeverisë së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t‘i plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri me kapitujt e saj”, thuhet në aktvendimin e Kushtetueses të shpallur me 23 dhjetor të vitit 2015.

Kushtet e papajtueshme të marrëveshjes, apo që do të duhej të plotësoheshin, ishin:
“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 (paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II (Të Drejtat dhe Liritë Themelore), me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III (Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre)”, thuhet veç tjerash në vendimin e GJK-së, të vitit 2015.

Sidoqoftë mbetet të shihet se si do të rrjedhin proceset, e mbi të gjitha se si do të përfundojë Rusia, përkatësisht lufta në Ukrainë apo se cili do të jetë fundi i Putinit.

Në rast të një fundi të shpejt të Putinit apo të vetë luftës në Ukrainë, me humbjen e Rusisë, jam i prirur të besojë si në fillim të saj, se shqiptarët dhe Kosova do të dalin në pozicione më të fuqishme, veçanërisht ndaj Serbisë, dhe e ardhmja jonë vërtetë mund të ndryshojë, me një buzëqeshje fati!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat