Komisioni i Venecias do të ketë sërish punë me Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Mirëpo kjo lëvizje për partitë opozitare, po shihet si rrugë e zgjedhur nga partia në pushtet për ta pezulluar këtë projektligj. Madje PDK-ja kërcënon me dërgimin e tij në kushtetuese.
Ndonëse projektligji për Projektligji për Byronë Shtetërore kishte gjetur mbështetjen e deputetëve të legjislativit në lexim të parë, ekzistojnë mundësitë që i njëjti të kthehet prapë në Komisionin e Venecias.
Kështu ka lënë të kuptohet deputeti i partisë që udhëheqë me pushtetin, Adnan Rrustemi.
Ai ka thënë se grupi punues i Komisionit për Legjislacion janë të vendosur që raporti me amendamente të i kthehet komisionit të Venecias.
Nga ana tjetër, dy partitë më të mëdha opozitare PDK dhe LDK, konsiderojnë se pushteti po e pezullon këtë projektligj.
Anëtari i komisionit për legjislacion dhe deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, vlerëson se përmes amendamenteve, nuk mund të trajtohen të gjitha opinionet e “Venecias”, derisa ka shtuar se i njëjti duhet të kthehet në pikën zero.
Në anën tjetër deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, ka kërkuar që projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të kthehet në Ministrinë e Drejtësisë, si sponsorizuese e këtij dokumenti.
Formati i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ishte hedhur poshtë nga shoqëria civile dhe partitë opozitare, për cka u vendos të ftohej Komisioni i Venecias.