Tom Gashi: Edi Rama duhet të dëshmojë në favor të Hashim Thaçit

Aktuale

Tom Gashi: Edi Rama duhet të dëshmojë në favor të Hashim Thaçit

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 11:34
Edi Rama

Avokati Tom Gashi, ka thënë se Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, duhet të dëshmojë në Hagë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Tutje, ai ka deklaruar se organet e drejtësisë në Shqipëri duhet të nxjerrin një vendim, ku të thonë që në vend nuk ka pasur trafikim organesh.

“Ne do kishim dashur që të jetë zoti Edi Rama në cilësinë e kryeministrit që është tani, por para se të jetë, ajo është dëshira ime, që të dëshmojë në favor të pjesëtarëve të UÇK-së. Organet kompetente të drejtësisë në Shqipëri duhet të nxjerrin një vendim, që kjo çështje të mbyllet një herë e përgjithmonë, të dihet që nuk ka ndodhur trafikim të organeve njerëzore’’, tha Gashi.

Mirëpo sipas Gashit, nuk duhet të jetë vetëm Rama ai që dëshmon në favor të Thaçit, por edhe ish-kryeministri Pandeli Majko.

‘’Derisa kjo çështje të mbetet pezull, mendoj se zoti Rama ka kompetenca të tilla që t’i propozojë organeve kompetente. Vetë Shqipëria të nxjerrë një vendim gjyqësor nëse ka ndodhur apo jo. Do ishte mirë që vetë një nga dëshmitaret të ishte Edi Rama, por edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, shefi i SHISH në kohën e luftës”, tha ai.

Avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, i ka dërguar një letër Kryeprokurorit të Hagës, Jack Smith, ku shprehet se në listën e dëshmitarëve mbrojtës për rastin janë edhe nëntë ish-diplomatë duke përfshirë edhe figura ushtarake të NATO, të OSBE-së, UNMIK-ut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat