Asambleja Parlamentare e NATO-s vizitoi FSK-në

Aktuale

Asambleja Parlamentare e NATO-s vizitoi FSK-në

Më: 10 tetor 2022 Në ora: 17:46
FSK

Pjesëmarrësit e seminarit të 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Kosovë, të kryesuar nga Sekretarja e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare Ruxandra Popa, sot kanë vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, ata u pritën nga shefi i stafit të FSK-së gjeneral brigade Jeton Dreshaj i shoqëruar nga zëvendëskomandanti i KDS -së kolonel Mehmet Lladrofci.

Gjeneral Dreshaj përshëndeti të pranishmit në emër të Komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari i cili po qëndron në vizitë zyrtare në SHBA së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Gjeneral Dreshaj me këtë rast prezantoi para të pranishmëve vizionin dhe të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe u diskutua për sfidat dhe kërcënimet në rajon dhe më gjerë, gjithashtu të arriturat e FSK-së bazuar në planin 10 vjeçar të tranzicionit, krijimin e kapaciteteve të mbrojtjes me mandatin e ri të FSK-së”, thuhet në njoftimin e ministrisë

‘Ata po ashtu u njoftuan edhe me kapacitetet që ofron Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes, ku shefi i shtabit nënkolonel Arsim Shaqiri, prezantoi misionin dhe strukturën, kurset dhe trajnimet, planet për të ardhmen, bashkëpunimin bilateral me vendet partnere që po ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve të KDS-së. Të pranishmit patën mundësin të shohin edhe disa nga stërvitjet që janë duke u realizuar në KDS”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat