Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, derisa ka folur rreth videove të partisë ku akuzohen Qeveritë e kaluara për keqpërdorime, ka komentuar edhe reagimin e Sami Lushtakut, për të cilin Rexhaj ka theksuar se “Luftën për çlirim nuk e ka bërë vetëm ai.
Rexhaj tha se kjo është metodë demokratike të cilat i përdorë çdo subjekt politik.
Ai ka thënë se një video e tillë është publikuar me qëllim të të treguarit se çfarë ka ndodhur me të kaluarën me terminalet.
“Janë metoda demokratike, metoda që i përdorë çdo subjekt politik jo vetëm në Kosovë por gjithandej në Evropë. Krahasimi i punës sonë të hapjes së terminalit në Durrës është lajm i mire për Kosovën po krahas kësaj, ne donim të tregonim se çfarë ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë Rexhaj në TV Dukagjini.
Pasi që një ndër të përmendurit në videon e publikuar të LVV-së ishte edhe Sami Lushtaku. Rexhaj ka thënë se nuk pajtohet me pjesën kur Lushtaku krahason LVV-në me përndjekjen që i ishte bërë nga Serbia
“Zoti Lushtaku e dha versionin e tij. E ftoj t’a padisë LVV-në për shpifje mirëpo nuk pajtohem me pjesën ku thotë më ka djegur Serbia tash edhe LVV-ja. Nëse fshihemi pas serbëve në kuptimin e asaj se tash po më djegin këta. Luftën për çlirim nuk e ka bërë vetëm ai. E ka bërë populli krahas aleatëve ndërkombëtar dhe dëshmorëve të rënë”, ka deklaruar Rexhaj.