Ministri Peci denoncon keqpërdorimet me pronat shoqërore, kërkon nisjen e hetimeve

Aktuale

Ministri Peci denoncon keqpërdorimet me pronat shoqërore, kërkon nisjen e hetimeve

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 11:31
Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se kanë gjetur një mori skandalesh në Institutin Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk është abuzuar vetëm me subvencione, por edhe në menaxhimin e pronave.

“Fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave”, ka thënë Peci, teksa ka treguar që para disa muajsh ka kërkuar themelimin e një Komisioni për hetimin gjetjet e të cilit i ka transmetuar vetë ministri.

“Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi: Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje! Uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë”, tha ai.

Peci e ka ftuar Prokurorinë për hetim.

“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”, ka shkruar ndër tjerash ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat