Historike, Kosova mirëpritet në Asamble të Këshillit të Evropës, reagon Serbia

Aktuale

Historike, Kosova mirëpritet në Asamble të Këshillit të Evropës, reagon Serbia

Më: 11 tetor 2022 Në ora: 11:40 Përditësuar në ora: 13:36 më 11.10.2022
 Kosova në Asamble të Këshillit të Evropës

Kosova mirëpritet në Asamble të Këshillit të Evropës, reagon përfaqësuesi serb

Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, ka folur për herë të parë në Asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Evropës. Kjo pasi që dje është vendosur që një e drejtë e tillë t’i jepet shtetit të Kosovës.

Reagimet për këtë nga shtetet tjera anëtare kanë qenë të jashtëzakonshme. Holandezja Margreet De BOER ka mirëpritur Bogujevcin dhe pjesëmarrjen e saj në mbledhjen e  së martë, dhe ka thënë se shpreson që së shpejti do të mund t’i urojnë Kosovës mirëseardhje si shtet anëtare.

“Më lejoni të përfundoj me disa fjalë për kolegët nga Kosova. I mirëpres ata si folës në Kuvendin tonë dhe në këtë debat sot, dhe shpresoj se mund t’i mirëpresim ata si shtet anëtar në një të ardhme jo shumë të largët. Faleminderit”, ka thënë Boer.

Përfaqësuesi nga Britania e Madhe Edward LEIGH ka thënë se është një nder që ta marrë fjalën pasi Asamblesë së Përgjithshme i është drejtuar deputetja nga Kosova.

“Është nder, zonja Presidente, të ndjek folësen e fundit nga Kosova dhe na mirëpresim në këtë Asamble të kombeve të lira të Evropës”, ka thënë Leigh.

Edhe John Howell nga Britania e Madhe ka rikujtuar se shteti i tij mbështet Kosovën në aspiratën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Fusha e dytë – thashë se do ta bëja me dy – është Kosova, ku qeveria ime e mbështet Kosovën dhe po ashtu edhe delegacioni im. Ajo nuk mund t’i sjellë asgjë tjetër përveç përfitimeve në aspektin e të drejtave të njeriut për popullin e Kosovës që të jenë anëtarë të plotë të kësaj organizate”, ka thënë Howell.

Pas fjalëve të Howell ka reaguar edhe përfaqësuesi i Serbisë në Asamble duke thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë një thyerje e praktikës së gjatë të Këshillit të Evropës.

“Një vendim i mundshëm për të shqyrtuar një ofertë për anëtarësim në emër të autoriteteve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, që aplikohen si e ashtuquajtura Republika e Kosovës, mund të jetë një thyerje e qartë me këtë praktikë të kahershme”, ka thënë Stefan Jovanoviq.

Fjalimi i parë i Kosovës u prit me duartrokitje në Këshillin e Evropës

Kosova për herë të parë sot ka pasur të drejtën e fjalës në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Fjalimi i parë i Kosovës në KE është pritur me duartrokitje, derisa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka folur në emër të shtetit, i cili në maj të këtij viti ka aplikuar të bëhet anëtar në këtë mekanizëm evropian.

Gjatë fjalimit, Bogujevci ka treguar se është e mbijetuar e një masakre gjatë luftës, ndërsa ka shprehur mbështetje për Ukrainën.

“Vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës së fundit në Kosovë. Të gjithë ne jemi me ju në këtë luftë dhe shpresojmë që të marrë fund sa më parë dhe drejtësia të triumfojë”, është shprehur ajo.

Me “Slava Ukraini”, e ka mbyllur fjalimin e saj Bogujevci.

Ky po konsiderohet si moment historik për Kosovën.

Bogujevci në Këshill të Evropës: Jam e mbijetuar e një masakre – Kosova është krah Ukrainës

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën e cila ndodhet nën pushtimin e Rusisë.

Në fjalimin historik drejtuar Asamblesë së Këshillit të Evropës, ajo ka thënë se Ukraina dhe ukrainasit janë përherë në mendjet dhe zemrat e kosovarëve.

“Vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës së fundit në Kosovës. Të gjithë ne jemi me ju në këtë luftë dhe shpresojmë që të marrë fund sa më parë dhe drejtësia të triumfojë”, është shprehur ajo.

Me “Slava Ukraini”, e ka mbyllur fjalimin e saj Bogujevci.

Historike, Bogujevci i drejtohet për herë të parë asamblesë së Këshillit të Evropës: Kosova, demokracia më e gjallë në rajon

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, i është drejtuar Asmablesë së Këshillit të Evropës.

Ky është fjalimi i parë historik, ku Kosova përvec pjesëmarrjes ka pasur edhe të drejtën për fjalë.

Ajo ka thënë se Kosova është ndër demokracitë më kumbuese në Ballkanin Perëndimor.

“Kemi edhe vështirësi, përfshirë me fqinjët tanë dhe një të kaluar që nuk ka përfunduar shumë moti. Si Kosovë, jemi Evropë dhe nuk kemi të ardhme tjetër përvec të jemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Bogujevci ndër të tjera.

Më tej ajo ka përmendur se është e mbijetuar e një masakre, duke shprehur kështu mbështetjen për Ukrainën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat