Fjalimin e deputetit ukrainas e ka përshëndetur presidentja Vjosa Osmani.
Ajo e ka quajtur fjalim të fuqishëm, ndërsa ka thënë se Kosova dhe Ukraina qëndrojnë në anën e lirë dhe demokracisë.
“Fjalim i fuqishëm nga deputeti Oleksii Goncharenkjo për të drejtën e Kosovës për t’u ulur në mesin e evropianëve të tjerë në Këshillin e Evropës. Kosova dhe Ukraina qëndrojnë në anën e lirisë, demokracisë dhe të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Osmani në Twitter.
Përfaqësuesi i Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksiy Goncharenko, ka bërë thirrje që të pranohet Kosova në Këshillin e Evropës.
“Dua ta them këtë veçanërisht për Kosovën. Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Aktualisht, 12 vende anëtare nuk e kanë njohur dhe po ju adresohem juve.Ju lutem njiheni këtë vend si vend të pavarur, ashtu siç kanë luftuar për këtë gjë, për të ardhmen e tyre për pavarësinë e tyre", deklaroi ai.
Për herë të parë në histori këtë 11 tetor Kosova e fitoi të drejtën e fjalës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ishte zëri i parë nga Kosova që u dëgjua në sallën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.