Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka thënë se fajin më të madh e ka sistemi gjyqësor për mos-efikasitetin e vet për keqpërdorimet financiare dhe vrasjet që kanë ndodhur në Kosovë pasluftës.
Sipas tij, kur kalon fushata elektorale, atëherë deputetëve duhet me ua dhënë mundësinë që t’i arrijnë dhe plotësojnë reformat për të mirën e qytetarëve.
Megjithatë, ai shtoi se nuk ka sistem gjyqësor që bën fajësim apo gjykim kolektiv në shtete demokratike.
Po ashtu, ligjvënësi i pushtetit u shpreh se duhet të caktohet standard të ri e mos të ketë njerëz mbi ligjin.
Ai foli edhe për një grup keqpërdorues të subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë, që ka rezultuar me arrestimin e dhjetëra zyrtarëve nga ana e Policisë së Kosovës.
“Prej vrasjeve e deri te keqpërdorimet financiare. Krejt janë veprime individuale. Nëse dikush ka vepruar në grup, sikur puna e ministrisë të Bujqësisë, atëherë ai grup duhet të ballafaqohet me ligjin. Resurset nuk mungojnë. S’ma merr mendja që mungojnë kapacitetet e deputetëve sikur po paraqitet nganjëherë në publik”, vijoi Abazi.