Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se 75 për qind e ndërtimeve në Kosovë janë pa leje. Pasi u miratua në qeveri, Projektligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje, Aliu tha se ky numër i madh i ndërtimeve pa leje po ndikon në fushën e planifikimit në vend dhe zhvillimin ekonomik.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Aliu tha se procesi i legalizimit është i thjesht dhe për banesa kolektive do të kushtojë 2 euro metri katror, ndërsa për ato individuale 1 euro.
Aliu: Në regjistrimet e ndërtimeve pa leje në vendin tonë figurojnë mbi 352 mijë ndërtime
“Në regjistrimet e ndërtimeve pa leje në vendin tonë figurojnë 352 mijë e 836 ndërtime pa leje në gjithë vendin. Vetëm në komunën e Prishtinës janë mbi 46 mijë ndërtime pa leje. Kjo nënkupton se nga stoku ekzistuese i ndërtimeve janë mbi ¾ e ndërtimeve pa leje. Kjo është një numër i madh i ndërtimeve pa leje, e cila ka ndikuar në fushën e planifikimit në vend”, theksoi Aliu.
Në konferencën për medie, Aliu u pyet edhe për aksionin e policisë për ndërtimet pa leje në Brezovicë, për çka tha se i njëjti është i qëlluar.
Aliu: Aksioni në Brezovicë është jashtëzakonisht i qëlluar
“Aksioni në Brezovicë është jashtëzakonisht i qëlluar dhe është duke pasur efektin e vet. Degradimi që ka ndodhur në zonën e Brezovicës dhe përgjithësisht në parkun Sharr janë të natyrave të ndryshme. Përveç ndërtimeve pa leje janë edhe hidrocentralet dhe prerja e pyjeve që ka qenë proces i vazhdueshëm dhe degradues i gjitha pyjeve tona në gjitha parqet nacionale”, shtoi ai.
Në konferencën për medie ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se plotësim-ndryshimet e Ligjit për kodin penal dhe atij për procedurën penale do të ashpërsojnë dënimet për kryerësit e veprave penale.
Ajo theksoi se Kosova s’ka jetë të grave dhe vajzave për të humbur.
Haxhiu: Kosova s’ka jetë grash dhe vajzash për të humbur
“Kosova s’ka jetë grash dhe vajzash për të humbur. Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, është përgjegjësi institucionale e sigurisë dhe mirëqenies publike dhe sociale. Është e domosdoshëm angazhimi maksimal veçanërisht ai i institucioneve”, shtoi ajo.
E pyetur për liberalizimin e vizave, Haxhiu u shpreh optimiste për heqjen e regjimit të vizave, mirëpo tha se nuk mund të jap data sikur ish-kryeministrat dhe ish-presidentët, që sipas saj, kanë mashtruar qytetarët.
Haxhiu: Jemi optimist për liberalizim të vizave
“Sa i përket liberalizimit të vizave unë nuk do t’ia bëjë sikur kanë bërë qeveritë e kaluara. Ju mbani mend deklaratat e ish kryeministrave dhe ish presidentëve duke i mashtruar qytetarët. Ajo çka mund të them është se gjithçka çka varet nga ne është bërë. Jemi optimist dhe kemi punuar për këtë”, përfundoi ajo.