OJQ “ Horizonti i Ri” organizoi sot në Ulqin një diskutim publik me temë “ Proceset reformuese në administratën vendore” , ku ishin të pranishëm drejtuesë dhe zyrtarë të Pushtetit Vendor si dhe të shoqërisë civile. Në diskutimin e sotëm u trajtuan tema që kanë të bëjnë me interesimin e OJQ-ve dhe grupeve të tjera të shoqërisë civile dhe ndryshimet e reja në skemën organizative të Administratës së Komunës së Ulqinit, qasjet e reja të Pushteti Vendor në raport me publikun, rritjen e cilësisë së shërbimeve komunale ndaj qytetarëve, raportin e Pushtetit Vendor me organizatat joqeveritare, planet , procedurat dhe veprimet që do të marrë Administrata e Komunës së Ulqinit për këtë vit kalendarik, por edhe për periudhën e ardhshme dhe çështje të tjera me qëllim të një bashkëpunimi më të suksesshëm mes Pushtetit Vendor dhe sektorit civil në këtë komunë.
Drejtori ekzekutiv i OJQ “ Horizonti i Ri” Nazif Veliqi, tha se kjo shoqatë, si qendër e resurseve për OJQ-të lokale e organizon këtë aktivitet në kuadër të projektit “ Reforma që kujtojmë të gjithë” i cili mbështetet nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi, në kuadër të thirrjes publike për financimin e projekteve të organizatave joqeveritare për vitin 2022 me titull “Së bashku përmes reformës së administratës publike”.
” Qëllimi i Strategjisë është ndërtimi i një administrate publike të ndërgjegjshme, efikas, transparente, të fokusuar në nevojat e qytetarëve dhe të biznesit. Misioni i Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2022-2026 është një administratë publike që ofron shërbime cilësore për qytetarët”, pohoi Veliqi. Nënkyretari i Komunës së Ulqinit Beqir Sella premtoi se Komuna do të krijojë një model të mirë bashkëpunimi me sektorin civil dhe do të jetë gjithmonë e gatshme për mbështetjen e projekteve të OJQ-ve.
Sekretari për Buxhet dhe Financa Arian Murati, foli për ndryshimet që pushteti i ri vendor ka bërë në Administratën Vendore. Ai tha se me ndryshimet e reja të Administratës Publike , shërbimet e OJQ-ve janë në kompetencat e Sekretariatit për Kulturë, Rini dhe Sport . “ Për çdo sekretariat janë siguruar mjete buxhetore për funksionimin normal të tyre. Me buxhetin e vitit 2023 mjetet e dedikuara për OJQ-të do të trefishohen”, u shpreh Murati.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk e pritëm mirë lajmin se shpallja e konkursit për ndarjen e mjeteve buxhetore OQV-ve për këtë vit nuk është i sigurt. Megjithatë pjesëmarrësit u dakorduan se takimet e këtilla janë të domosdoshme , sepse ato kontribuojnë në ngritjen e besimit të ndërsjellët të sektorit civil dhe pushtetit vendor.