Milazim Krasniqi, profesor i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka shkruar një status e në të cilin ka kritikuar shefin e diplomacisë së BE-së, Joseph Borrell.
Ai ka thënë se Borrelli e ka pranuar “budallakinë” e Brukselit.
Tutje, analisti ka pyetur në formë cinike se si është e mundur që gjithë ata burokratë në BE të mos kenë kuptuar se çfarë do të ndodhë në çështjen ukrainase.
Postimi i plotë:
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Jozep Boreli, paska bërë mirë që bile e ka pranuar budallakinë e vet e të Brukselit, me këto fjalë: “Në të kaluarën kanë ndodhë gjëra për të cilat e dinim se mund të ndodhnin, por disa ishin befasi. E para- Ukraina. Nuk parashikonim se sa Ukraina do të rezistonte. Nuk besonim se po vinte lufta.
E pranoj që amerikanët në Bruksel na thonin “do të sulmojë, do të sulmojë”, por ne nuk u besonim.” Nuk besonit?! Me mijëra byrokratë marrin rroga të larta në Bruksel dhe nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë se çfarë drejtimi kishte marrë politika ruse? Mjerim, bre! O tybe, po të mos ishte SHBA, Putini i kish dhënë ujë kalit në Bruksel e para Brukselit, në Berlin e në Paris. Politika e Brukselit është e fuqishme vetëm për ta mbajtë Kosovën në izolim dhe për ta ndihmuar Serbinë që të rehabilitohet si shtet me të kaluarën e afërt gjenocidale. Qaq