Pas pranimit të raportit të progresit nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se raporti e përgëzon Kosovën për stabilitet politik, çka sipas tij është parakusht për reforma afatgjate. Kurti ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai ka ndërmarrë reformat që janë raportuar qysh moti nga Bashkimi Evropian por siç ka thënë ai janë injoruar nga qeveritë e kaluara.
Kurti: Qeveria jonë ka ndërmarrë reforma të rekomanduara nga BE që janë injoruar nga qeveritë e kaluara
“Raporti që në fillim e përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike, stabiliteti është parakusht për reforma afatgjate. Prandaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të Bashkimit Evropian për një kohë të gjatë e të cilat u injoruan nga qeveritë e kaluara si për shembull terminalet doganore private nuk janë në harmoni me MSA dhe kalimi gradual nga ato private në ato publike është rekomanduar që nga viti 2018. Vitin e kaluar e hapëm terminalin doganor në Mitrovicë ndërsa këtë vit termalin doganor në Podujevë e kthyem në shtetëror, njësoj do të vazhdojmë në hapjen e terminalit doganor shtetëror në Vermicë”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe miratimin e Rregullores së Kuvendit, Ligjit për financimin e partive politike dhe Ligjit për ushqimin për të cilin tha se ishte rekomanduar që nga viti 2012.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se këtë vit kanë intensifikuar angazhimin sa i përket liberalizimit të vizave ku ka përmendur një raport të detajuar që i kanë dërguar në muajin gusht Komisionit Evropian, i cili sipas tij, tregon progresin e Kosovës në sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe menaxhimin e migrimit.
Kurti ka thënë se tani janë bashkërendim me presidencën çeke të Këshillit duke theksuar se kjo çështje është edhe prioritet i tyre.
Kurti: Përmbushim çdo kriter teknik për të fituar statusin e vendit kandidat
“Arritjet tona janë konfirmuar nga KE dhe mirëpritur nga të gjitha vendet anëtare të Këshillit dhe kemi arritur të futemi në agjendë të grupit punues për viza, format i Këshillit të Bashkimit Evropian pas më shumë se katër vitesh. Jemi të bashkërenduar me presidencën çeke të këshillit meqë kjo temë është prioritet i tyre, ne do të punojmë ngushtë me të gjitha shtetet përkrahëse dhe jemi në koordinim për hapat e radhës. Ndërkohë kemi filluar përgatitjet për ë dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në Bashkim Evropian si hap i parë e me synim marrjen e statusit kandidat. Kosova është vend evropian me vlera e orientim evropian, me politikë të jashtme të linjëzuar me Bashkimin Evropian mbi gjashtë vite zbatojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kjo na bën të besojmë se përmbushim çdo kriter teknik për të fituar statusin e vendit kandidat”, ka thënë Kurti.