Deklaratat e Kurtit për luftë, Hovenier: Gjithmonë ka rrezik, por ushtarët amerikanë dhe trupat e NATO’s janë garanci

Aktuale

Deklaratat e Kurtit për luftë, Hovenier: Gjithmonë ka rrezik, por ushtarët amerikanë dhe trupat e NATO’s janë garanci

Më: 12 tetor 2022 Në ora: 20:57
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar deklaratat e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me një konflikt të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se gjithmonë ka rrezik.

Por, sipas tij, prania e qindra ushtarëve amerikanë dhe mijëra trupave të NATO’s në Kosovë, janë garanci e rëndësishme e sigurisë për Kosovën.

“Vetë fakti se në Kosovë është një mision i NATO-s sugjeron se ka nevojë për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të ndihmuar në mbajtjen e sigurisë dhe stabilitetit. Por, do të them se fakti se në Kosovë është një mision domethënës i NATO-s, me qindra ushtarë amerikanë dhe mijëra trupa të NATO-s, është një garanci e rëndësishme e sigurisë për Kosovën. Gjithmonë ka rrezik, por mendojmë se ky rrezik po menaxhohet tash për tash dhe mendojmë se prania e NATO-s dhe puna jonë për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve ka qenë e rëndësishme për ta arritur pikërisht këtë”, ka deklaruar Hovenier në një intervistë për ATV.

Ndryshe, luftën Kurti e përmendi fillimisht në një intervistë për mediumin kroat, Vecernji List.

E si pretekst për këtë, Kurti dha armatimin e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina.

Përveç armatimit, Kurti kishte vënë theksin te vendosja e bazave ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Marrë për bazë këto do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt, se nuk do të ketë më luftë. Nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë, dy stërvitje më të rëndësishme ushtarake të quajtur ‘Mburoja Sllave’ dhe ‘Vëllazëria Sllave’?”, kishte pyetur Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat