Deputeti austriak i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, ka thënë se është i befasuar nga raporti i Komisionit Evropian për Serbinë, duke theksuar se është Serbia ajo që po e bllokon dialogun me Kosovën dhe jo e kundërta.
Ai pyeti se pse thuhet se Kosova duhet të përfshihet më shumë në dialogun me Serbinë, kur është Serbia ajo që po e bllokon Kosovën, e jo anasjelltas.
Ai shtoi se ndoshta duhet riformuluar ai vlerësim.
“Ndjenja ime për raportin, kur është fjala për Serbinë, është se ai nuk vjen nga Komisioni Evropian, por nga një univers tjetër. Më 1 mars, ky parlament, me shumicë votash, shprehu shqetësim të thellë për Serbinë lidhur me luftën (në Ukrainë). Ajo nuk e ka ndryshuar qasjen e saj. Ku është vija e kuqe që Komisioni të mos pretendojë se Qeveria e Serbisë, lidershipi i Serbisë, do të jetë në përputhje me vlerat e BE-së?”, tha Mandl.
Në raportin e saj për Kosovën, KE theksoi se është e nevojshme që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog me Serbinë.