Kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit, Ahmet Grajçevci, thotë se Kisha Ortodokse Serbe mban përgjegjësi të madhe për krimet që janë kryer në Kosovë, prandaj ai nuk befasohet që gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviq, u dekorua nga kjo Kishë.
Kryetari i Këshillit Koordinues për të zhdukurit, Ahmet Grajçevci, ka një jetë që merret me dokumentimin e krimeve të Serbisë.
Lajmi që gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviq, u dekorua nga Kisha Ortodokse Serbe me “Urdhrin e Surdulicës”, nuk e befasoi atë.
Grajçevci, thotë se pikërisht Kisha Ortodokse Serbe, mban një përgjegjësi të madhe për krimet që janë kryer ndaj popullit shqiptar.
Ai tregon, se në cilat zona ka operuar gjenerali famëkeq Vladimir Lazareviq.
Grajçevci, thotë se ka dëshmi që gjenerali në pension i ish-ushtrisë Jugosllave, i ka fshirë arkivat e ushtrisë së tij, ku ruheshin dokumente që tregonin për varreza masive me shqiptarë.
Sikurse Lazareviq, edhe gjeneralë tjerë të cilët kanë kryer krime në Kosovë, janë nderuar nga shteti serb. Ish-gjenerali i ushtrisë Jugosllave ishte i dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali i Hagës, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë.