Përfundon takimi për vizat, diskutimet vazhdojnë; Franca kushtëzon liberalizimin e vizave

Aktuale

Përfundon takimi për vizat, diskutimet vazhdojnë; Franca kushtëzon liberalizimin e vizave

Më: 13 tetor 2022 Në ora: 14:14 Përditësuar në ora: 18:36 më 13.10.2022
Foto ilustrim

Përfundon takimi i Grupit Punues për vizat: Diskutimet vazhdojnë

Pak çaste më parë, ka përfunduar takimi i grupit punues për vizat, ku në rend të ditës ishte diskutimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një përgjigje të shtetit të Çekisë, thuhet se Komisioni Evropian, në të cilin thuhet se shteti i Kosovës i ka përmbushur dhe vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave.

“Më 13 tetor, Grupi Punues për Vizat i Këshillit të BE-së e ka mbajtur diskutimin e parë për liberalizimin e vizave për Kosovën nën Presidencën Çeke. Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e përditësuar teknik për këtë temë i cili rikonfirmon që Kosova vazhdon të përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Po ashtu, në përgjigjen e shtetit të Çekisë, thuhet se Grupi Punues, e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve për çështjen e vizave.

“Grupi Punues e ka mirëpritur rihapjen e diskutimeve mbi këtë temë dhe në përgjithësi e ka mbështetur procesin e liberalizimit të vizave. Në mënyrë që të ketë progres në këtë çështje do të jetë e nevojshme që të sqarohen një sërë temash të ndërlidhura dhe të vazhdohet diskutimi”, vijon përgjigja.

Të enjten gjatë ditës, u raportua se Franca kishte vendosur përsëri kushte për liberalizim të vizave.

Sipas raportimeve, Franca dëshiron që ta lidhë liberalizimin e vizave me funksionalizimin e ETIAS-it. Etiasi është një sistem informativ i BE-së që mëtohet të hyjë në funksion vitin që vjen ku jepet autorizimi elektronik i udhëtimeve.

Franca kushtëzon liberalizimin e vizave

Në mbledhjen e mbyllur, të mbajtur të enjten në Këshillin e Bashkimit Evropian, Radio Evropa e Lirë merr vesh se është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.

Ky propozim besohet se është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Pas shqetësimeve në rritje për terrorizmin dhe krizën me migrantë, zyrtarët evropianë kanë bërë thirrje prej kohësh për menaxhim më të mirë të njerëzve që hyjnë në kufijtë e BE-së.

Përmes këtij sistemi për autorizim të udhëtimit do të mblidhen dhe do të përditësohen informacionet e nevojshme për të vërtetuar se një person nuk përbën kërcënim për sigurinë.

Ky sistem është krejtësisht elektronik, që mundëson marrjen e informacioneve për banorët e vendeve që nuk kanë nevojë për viza për të hyrë në Zonën Schengen.

Ky sistem është i ngjashëm me sistemin amerikan ESTA, që shërben për qëllime të njëjta.

Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 - pa ndonjë datë të saktë.

Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.

Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat