Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka komentuar Raportin e Progresit për Kosovën, i publikuar të mërkurën.
Bislimi ka konsideruar se raporti i këtij viti, është një prej raporteve më të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili hedh në pah progresin që ka bërë Kosova.
Zëvendëskryeministri Bislimi po ashtu tha se Kosova po vazhdon bindshëm rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Ne qëndrojmë të përkushtuar maksimalisht në zhvillimin e vendit, avancimin e agjendës evropiane dhe përmbushjen e reformave të nevojshme për përafrim me standartet e BE. Kosova ecën bindshëm në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike e evropiane”, tha Bislimi përmes një shkrimi në Facebook.
Derisa Raporti i Progresit për Kosovën thekson edhe shumë aspekte të tjera në të cilat Kosova ka mbetur prapa, si luftimi i korrupsionit dhe vendosja e rendit e ligjit, Bislimi zgjodhi të mos i komentojë dhe u fokusua vetëm te ato që ai i quan të arritura. /Reporteri.net/.
Postimi i plotë:
Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën për vitin 2022. Ky raport, ka shënuar progres dhe është një ndër raportet më të mira në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndër më të mirat ndonjëherë për Kosovën. Është evidentuar gjithashtu dhe avancimi në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe Agjendës së Reformave Evropiane.
Ne qëndrojmë të përkushtuar maksimalisht në zhvillimin e vendit, avancimin e agjendës evropiane dhe përmbushjen e reformave të nevojshme për përafrim me standartet e BE. Kosova ecën bindshëm në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike e evropiane.