Të mërkurën Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka miratuar ndryshimin e Kodit Penal, përmes sëcilit dhunuesve u ndalohet vozitja e veturës deri në 5 vjet.
Për këtë, ka folur avokati, Anton Nrecaj i cili tha se është dakord me pjesën e ndalesave për pjesëmarrje në institucione publike të dhunuesve seksual.
Sipas tij, dhunuesit nuk kanë vend në institucione publike.
“Jemi shumë dakord për pjesën e ndalesave ku thotë që personat të cilët kanë një aktgjykim të formës së prerë, të cilët rezultojnë të jenë fajtor si dhunues të ngacmimeve apo dhunimeve seksuale u ndalohet për një periudhë të caktuar kohore pjesëmarrja në të gjitha institucionet publike qoftë në garë zgjedhore, e cila realisht është OK, sepse dhunuesit nuk kanë vend në institucione publike”, deklaroi ai.
Mirëpo, Nrecaj nuk pajtohet me një gjë tjetër me Qeverinë. Ai thotë se nuk guxon t’i mohohet një e drejtë tjetër si ajo e patentë shoferit.
“Por qeveria nuk guxon që një asnjë moment t’ia mohojë një të drejtë tjetër, p.sh pjesa e ndalimit të patentë shoferit. Kjo nuk ka kurrfarë ndërlidhje patentë shoferi me veprën penale të cilën e shkakton. Nuk shoh ndonjë lidhje me ata qytetarë që dënohen për shkak të veprës penale me ndalimin për marrjen e patentë shoferit”, tha Nrecaj.