Komisioni Ministror për hartimin, përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”, mbajti mbledhjen e parë.Jemi mbledhur për të çuar përpara një vendim të rëndësisë së veçantë, për një çështje shumë të dhimbshme e tejet të ndjeshme për të gjithë ne, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të takimit.
“Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri, e mënyra se si ne i kujtojmë ata tregon për të ardhmen që do të ndërtojmë. Andaj është detyrë e secilit prej nesh, për lirinë e paqen që e gëzojmë, që gjithmonë të kujtojmë sakrificën e popullit tonë”, tha ai.
Tutje, kryeministri Kurti theksoi se krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara, teksa shtoi se vrasjet fëmijëve gjatë luftës janë krimet më të tmerrshme të Serbisë.
Mes tjerash, kryeministri Kurti falënderoi nismën e nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, që ka pranuar ta kryesojë këtë grup punues, derisa kujtoi angazhimin e saj në Strasburg, ku mbajti fjalim, ku për herë të parë u dëgjua zëri i Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.Bëhet e ditur se Grupit Punues, i mandatuar me hartimin e Planit të Veprimit për ndërtimin e Memorialit për Fëmijët e Vrarë Gjatë Luftës në Kosovë, me përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të zgjerohet me përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.