Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka vlersuar të padrejtë kushtëzimin e procesit të liberalizimit të vizave me dialogun Kosovë-Serbi.
Sipas saj, proceset janë tërësisht të ndryshme dhe të shkëputura nga njëri-tjetri.
“Procesi i liberalizimi të vizave nuk duhet të kushtëzohet me dialogun, është tërësisht e padrejtë. Janë tërësisht të shkëputura nga njëra-tjetra”, ka thënë Çitaku duke shtuar se procesi i liberalizimit të vizave, nuk është i njëjtë sikurse anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
“Procesi i liberalizimit të vizave nuk është sikurse integrimi në Bashkimin Evropian. Do t’kisha pasur mirëkuptim sikur BE ta kushtëzojë Kosovën në marrëveshje me Serbinë, nëse do të bëhej fjalë për anëtarësim në BE. Qartazi, BE nuk dëshiron ta importojë një problem në familjen e vet. Shtetasit e Venezuelës udhëtojnë pa viza në Schengen, Tajvanit etj”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se liberalizimi i vizave është i nevojshëm për qytetarët. Politikanët, ka thënë ajo, gëzojnë këto privilegje të zonës Schengen me posedimin e pasaportave të shteteve të tjera.
“Shumica e politikanëve në Kosovë nuk preken nga liberalizimi sepse kanë pasaporta të një shteti të dytë, ata që preken nga ky vendim janë qytetarët, prindërit, studentët, punëtorët”, ka thënë ajo.
Çitaku, gjithashtu, ka deklaruar se nuk duhet përdorur shprehje e gjuhë urrejtëse ndaj BE-së nga dëshpërimi i procesit për liberalizimin e vizave.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në formulimin e diskursit publik, nuk duhet ta fyejmë frymën e Bashkimit Evropian”, ka theksuar ajo.