Gjatë së mërkurës në opinionin publik filloi të zbehet pritshmëria që Kosova do të marrë këtë viti një lajm pozitiv për liberalizimin e vizave.
Kjo bindje erdhi edhe nga një deklaratë e Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se në takimin e së enjtes nuk do të merret vendimi për liberalizmin e vizave, por që do të ketë vetëm diskutime.
Në esencë kjo deklaratë nuk e ka përjashtuar mundësinë që vendi mund të marr liberalizimin brenda pak muajve.
Madje deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu, thotë se nuk ka arsye të ulen pritshmëritë për liberalizimin, pasi siç thotë ajo, tani jemi në një fazë që nuk kemi qenë më herët.
“Në fakt unë mendoj që nuk ka aspak arsye për të rënë pritshmëritë e qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse është një proces në të cilin jemi nënshtruar tash e një kohë të gjatë dhe pavarësisht të rrethanave e kemi parë që vazhdimisht ka rezultuar me qenë i pasuksesshëm. Por, mos të harrojmë që kësaj radhe është shënuar një sukses i jashtëzakonshëm meqenëse është fakti që ne kemi arrit të hyjmë si pikë e rendit të ditës në diskutimet e grupit punues sot që është një arritje jashtëzakonisht e madhe e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kryeziu.
E politologu Fidan Ukaj thotë se në të kaluarën nuk ka ndodhur që ndonjë vendi të mos i liberalizohen vizat pas diskutimit në Këshillin e Bashkimit Evropian.
“Mos të harrojmë se Kosova nuk ka qenë asnjëherë pjesë e grupit punues për viza, është hera e parë që ka ndodh, Kosova futet në agjendë të Këshillit dhe të grupit punues për vizat. Dhe nuk ka ndodhë nga e kaluara që asnjë vend që ka aspiruar liberalizimin e vizave në Bashkimin Evropian dhe është futur në grupin punues për vizat, që vizat t’i refuzohen atij vendi”, u shpreh Ukaj.
Shumë vende të Bashkimit Evropian, përfshi edhe Francën si më skeptike, javëve të fundit u kanë bërë thirrje vendeve të tjera anëtare, që ta përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën.