Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e avokatëve të ish-ministrit Pal Lekaj, Eset Berishës e Besim Tahirit, për rastin e 53-milionëshit të Bechtel Enka-s.
Ky vendim u mor pasi mbrojtësit e kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës.
Gjykata e Apelit ka njoftuar se ankesat janë rrëzuar.
“Gjykata e Apelit me aktvendimin, PN.S.nr.41/22 të datës 22.08.2022, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve P.L.,N.SH., , E.B., dhe B.T., të cilët ngarkohen sipas aktakuzave të Prokurorisë Speciale për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Kjo Gjykatë ka gjetur se, në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë janë dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me dyshimin e bazuar, duke vazhduar me arsyetimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, të cilat mbështesin veprimet e përshkruara si në aktakuzë”, thuhet në njoftim.
Hedhjen poshtë të aktakuzës e kanë kërkuar të akuzuarit për keqpërdorim të 53 milionë eurove në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”.