Avokati i familjes së Agonis Tetajt, Berat Tmava ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës në Pejë për dënimin prej 7 vjet e gjysmë për Shaban Gogajn.
Tmava ka shkruar se nuk ndjehet i befasuar nga ky vendim duke parë se si ka shkuar rrjedha e këtij procesi.
Ai ka parafrazuar edhe një thënje të shkrimtarit rus, Dostojevski duke thënë “Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë!”
Reagimi i plotë i tij:
Sigurisht në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar familjes Tetaj, të cileve ju vra më i dashuri i tyre Agonisi, nuk kam mbetur i befasuar me këtë vendim.
Kjo për faktin se vetë odisejada e shtyerjes së seancave për arsye banale na ka bindur se gjykimi do të vazhdoj vetëm atëherë kur pala e akuzuar është bindur se do të shpallet fajtor vetëm për vrasje nga pakujdesia.
Gjykata me këtë vendim krijoi pasiguri juridike tek qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kjo çka ka ndodhur sot na kujton kohën e gladiatorëve, kur gladiatorët vdisnin në arenë nga kthetrat e luanëve ndërsa të pasurit të cilët qëndronin më lozhë duartrokitnin!
Dy fjalë për Trupin Gjykues, me vendime të tilla nuk mund ta mbuloni anshmërinë e juaj nuk e di se si do të silleshit ju po që se i ndjeri do të ishte anëtar i familjes suaj. Një ditë do të ju ndjekë keqardhja për këtë vendim dhe ajo ditë nuk do të jetë e largët, si dhe do të bindeni se ai vendim nuk ishte vendim i drejtë por vendim i ndikuar.
Dostojevski jo më kot ka thënë: Mos u ngutni se në ferr ka vend për të gjithë!