Avni Ajeti, bashkëluftëtari i komandantit Zahir Pajaziti ka treguar për takimin e parë me këtë të fundit.
Ajeti thotë vëllai i tij, Nazmiu e njoftoi me Zahir Pajazitin, teksa thotë se ai ishte një lloj pedagogu për të.
“Mua me Zahir Pajazitin me njoftoi vëllai im i ndjerë, Nazmi Ajeti sepse ai ishte i burgosur dhe i përndjekur dhe anëtarë i Çetës së Llapit. Përmes tij e kam njohur atë. Atë ditë kur e kam takuar Zahir Pajazitin më 24 dhjetor të vitit 1994, kam udhëtuar për Tiranë. Nuk kam pasur shumë kohë me pa kush është. Unë kisha 17 vjet, Pajaziti ishte 15 vjet para meje. Në raport me mua, ai ka ditur të jetë pedagog dhe një lloj shoku”, tha ai.
Ajeti teksa tregon se ditën e parë të takimit ka udhëtuar me Pajazitin në Tiranë, thotë se atje takoi edhe disa të tjerë që kishin lëshuar Kosovën.
“Në Tiranë takova, njerëz që ishin përndjek dhe kishin lëshuar Kosovën, ku pata rastin të takojë Fatmir Humollin, Nazmi Zukën, Sabit Gashin. Të gjithë këta të lëvizjeve ilegale. Ditë pas ditë i dëgjoja në bisedë që Zahiri dhe Nazmiu bisedonin për një organizim. Zahiri iu kërkonte edhe përgjegjësi, sikur jeni dalë, e keni lëshuar Kosovën. Ai kërkonte që këta të riktheheshin”, ka thënë ai.