Vetëm 12 vetura të qytetarëve serbë janë kthyer nga targat ilegale në ato të Kosovës. Gatishmëri për t’i kthyer targat ka, por që sipas Ministrisë së Brendshme, grupe kriminale, të orkestruara nga Beogradi, po i kërcënojnë qytetarët serbë dhe po i pengojnë ata që të realizojnë të drejtën e tyre.
Nga 1 shtatori qytetarët e Kosovës me vendim të Qeverisë së Kosovës u obliguan që t`i largojnë targat ilegale. Janë me mijëra vetura me targa ilegale që qarkullojnë në territorin e Kosovës, pronarët e të cilave kanë afat deri më 31 tetor që t’i konvertojnë në ato RKS. Qytetarët serbë të veriut të Kosovës, duke mos dashur të deklarohen nëse do t’i përgjigjen këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës, thonë se gjithçka varet nga marrëveshja mes dy vendeve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, thirrjes për regjistrimin e veturave me targa të Kosovës deri më tani i janë përgjigjur vetëm 12 qytetarë.
Prej tyre, 4 janë nga rajoni i Gjilanit, 4 të Mitrovicës, dhe nga dy vetura të rajonit të Prizrenit dhe Prishtinës. Ky numër i vogël, sipas MPB-së, është për shkak të kërcënimeve që po marrin ata qytetarë nga grupe kriminale të orkestruara nga Serbia.