Përfaqësuesi i Shqipërisë: Kosova mbështeti Ukrainën, dënojmë sulmet ndaj autoriteteve në veri
Shqipëria përgëzoi Kosovën për të arriturat në gjashtëmujorin e fundit të paraqitura në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, mirëpo përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u shpreh i habitur me faktin që në raport nuk përmendet që Kosova i është bashkuar dënimit të agresionit rus në Ukrainë si dhe ka pritur refugjatët afganë.
Hoxha tha se Kosova ka dëshmuar se është një shtet demokratike i gatshëm për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Hoxha: E habitshme që nuk përmendet dënimi i agresionit rus
“Na duket e habitshme që lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj i shumanshëm nuk përmendet në raport, duke përfshirë dënimin e qartë të agresionit nga Kosova dhe dëshmi të tjera të përkushtimit të tij të fortë ndaj ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut. Ne përshëndesim përafrimin e saj me politikën e jashtme të BE-së, duke përfshirë sanksionet dhe bujarinë në pritjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur nga Ukraina, ashtu siç kanë bërë edhe me refugjatët nga Afganistani. Përpjekjet e vazhdueshme për të luftuar korrupsionin dhe për zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë meritojnë njohjen e duhur, dhe me të drejtë, kjo tregon vendosmërinë e qeverisë për të ndërtuar një vend për qytetarët, nga qytetarët”, deklaroi Hoxha.
Hoxha tha se Shqipëria mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ndërsa shtoi se presin që udhërrëfyesi për marrëveshjen energjetike, si dhe çështja e targave të zbatohet sa më shpejt.
Hoxha: Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi
“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka mbështetjen tonë të plotë dhe të pa rezervë dhe u bëjmë thirrje palëve ta përshpejtojnë atë. Ne mirëpresim takimin e fundit në Bruksel, duke rivendosur kontaktet e nivelit të lartë mes palëve, të cilat i çuan në një marrëveshje për lirinë e lëvizjes. Ne presim që edhe udhërrëfyesi për marrëveshjen energjetike, si dhe çështja e targave të zbatohet sa më shpejt. Ato kanë një ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët, por janë gjithashtu hapa të rëndësishëm për rritjen e besimit në trajtimin e çështjes thelbësore, një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve që çon në njohje reciproke”, vijoi Hoxha.
Shqipëria vlerësoi lart rolin shumë aktiv të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Miroslav Lajcak, të të dërguarit special të SHBA-së Gabriel Escobar, si dhe përfshirjen e këshilltarëve të politikës së jashtme dhe të sigurisë të presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman në dialog.
Sipas Hoxhës, kjo është një mbështetje mbresëlënëse e nivelit të lartë e cila nuk mund dhe nuk duhet të shpërdorohet, por duhet të shërbejë si një katalizator për të përshpejtuar bisedimet mbi çështjet thelbësore duke bërë histori dhe duke ndryshuar Ballkanin Perëndimor një herë e përgjithmonë.
Hoxha deklaroi se Shqipëria mbështet Qeverinë e Kosovës në përpjekjet për të ushtruar autoritetin në të gjithë territorin ndërsa dënoi sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Hoxha: Dënojmë sulmet ndaj Policisë së Kosovës
“Shteti i së drejtës është themelor për çdo shoqëri. Ne mbështesim qeverinë në përpjekjet e saj për të ushtruar autoritetin e saj të ligjshëm në të gjithë territorin e saj. Askush nuk duhet të lejohet të mos respektojë ligjin, të krijojë tensione dhe të nxisë dhunë. Në këtë aspekt, ne dënojmë fuqishëm sulmet e njëpasnjëshme kundër Policisë së Kosovës në prill në dy komuna”, tha Hoxha.
Shqipëria iu bashkëngjit kërkesës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke i kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t’i jap fund misionit të UNMIK-ut në Kosovë.