​Selakoviq ankohet për kërkesën e Kosovës për njohje reciproke

Aktuale

​Selakoviq ankohet për kërkesën e Kosovës për njohje reciproke

Më: 18 tetor 2022 Në ora: 22:59
Foto ilustrim

Ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviq, gjatë seancës ku po shqyrtohet raporti gjashtëmujor i OKB për Kosovën në Këshill të Sigurimit, akuzoi Prishtinës që nuk po tregohet e gatshme për “zgjidhje kompromisi” në dialog pasi e kërkon njohjen.

Selakoviq, megjithëse nuk përmendi asnjë burim të besueshëm të dhënash, tha se janë rritur sulmet me motive etnike. Ai u shpreh se autoritetet në Republikën e Kosovës po thellojnë dallimet etnike.

Selakoviq: Po thellohen dallimet etnike në Kosovë

“Për fat të keq muajt e fundit nuk kanë sjellë më shumë stabilitet në Kosovë dhe situata nuk është tamam siç është paraqitur në raport. Lëvizjet e njëanshme të Prishtinës vazhdojnë të thellojnë me vetëdije dhe sistematikisht dallimet etnike duke shkaktuar diskriminim ndaj popullatës joshqiptare”, pretendoi ministri i Jashtëm serb.

Duke folur për dialogun, Selakoviq u shpreh se kërkesa e Prishtinës zyrtare për njohje reciproke tregon mos gatishmëri për të gjetur ndonjë zgjidhje kompromisi.

Selakoviq: Prishtina kërkon njohjen

“Dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj për sjelljen e ngurtë problematike dhe jashtëzakonisht të përgjegjshme të palës tjetër negociuese në kuadër të dialogut. Në arritjen e qëllimeve të lartpërmendura Prishtina zbaton të ashtuquajturën politikë të reciprocitetit, një strategji keqdashëse, e mirëmenduar, që fatkeqësisht nuk është ndërtuar në mënyrë të pavarur. Duke insistuar vazhdimisht në njohjen e ndërsjellë si pjesë qendrore e dialogut, e ashtuquajtura politikë e reciprocitetit demonstron mungesën e vullnetit thelbësor të lidershipit aktual politik të Prishtinës për të gjetur ndonjë zgjidhje kompromisi”, tha Selakoviq.

Ministri i Jashtëm Serb u shpreh se nuk mund të ndryshohet formati i dialogut me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti.

Selakoviq: Nuk duhet të ndryshohet formati i dialogut

“I konsiderojmë si të papranueshme tentativat për mospërfillje të formatit aktual të dialogut, dhe anulimin e marrëveshjeve vetëm se nuk u pëlqejnë faktorëve aktualë politikë. Është e papranueshme që rrethanat aktuale gjeopolitike të përdoren thjesht për të fshirë atë që është punuar me mundim prej vitesh. Theksoj se Beogradi ishte institucionalisht i përfshirë në dialog që në fillim, ndërsa angazhimi i palës tjetër ka ndryshuar dhe vazhdon të variojë në varësi të opsionit politik që është në pushtet”, tha Selakoviq.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat