Raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për situatën në Kosovë po diskutohet në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Përfaqësuesi i SHBA në Këshillin e Sigurimit ka kërkuar që të reduktohet edhe më tej deri në mbyllje misioni i UNMIK-ut në Kosovë.
Ai thotë se autoritetet e Kosovës janë në gjendje të mbajnë nën kontroll situatën.
“Propozojmë që edhe raportimi për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të mos mbahet çdo gjashtë muaj”, ka thënë përfaqësuesi amerikan.
Njëjtë ka kërkuar edhe përfaqësuesi i Britanisë së Madhe.
Ai ka kërkuar largimin e UNMIK-ut nga Kosova pasi sipas tij situata në terren ka ndryshuar.
Përfaqësuesi i Britanisë ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është jetik.
“Nga normalizimi do të përfitonin të dyja palët. Dialogu për targat dhe letërnjoftimet nuk duhet të jetë shkasë për të rrëshqitur në destabilitet”, deklaroi tutje përfaqësuesi i Britanisë në OKB.