Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e Kosovës për intensifikimin e procesit të dialogut me Serbinë.
Pas takimit me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Osmani tha se Kosova gjithmonë ka qenë pala konstruktive në dialog.
Osmani: Kosova është e gatshme të rrisë angazhimin që të intensifikohet procesi i dialogut
“Sot diskutuam edhe nevojën për të ecur përpara në procesin e dialogut. Kam ritheksuar se Kosova është dhe gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces. Po ashtu është e gatshme të rrisë edhe më shumë angazhimin dhe gatishmërinë e saj në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut” tha ajo.
Në konferencën e përbashkët për media, Osmani akuzoi Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, si dhe përkrahjen dhe financimin e strukturave ilegale në veri.
Osmani: Serbia po i përkrah politikisht e financiarisht strukturat ilegale në veri
“Shfrytëzova gjithashtu rastin për të shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë, duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë dhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individ të sanksionuar nga qeveria e ShBA-së. Jo vetëm që Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë këto struktura kriminale, por vazhdojnë t’i mbështesin financiarisht dhe politikisht”, shtoi Osmani.
Më i rezervuar për procesin e dialogut u shpreh emisari Escobar, mirëpo shprehi mbështetjen për aspiratat euro-atlantike të Kosovës.
Escobar: Shprehi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euro-atlantike të Kosovës
“Qëllimi i vizitës është për të shikuar mënyrën e bashkëpunimit me një aleate shumë të mirë dhe mike të mirë. Është miqësi e partneritet i bazuar jo vetëm në interes të përbashkët, por edhe në ndarjen e vlerave të njëjta. Kam dëshirë të shprehi mbështetjen e vazhdueshme amerikane për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe solidaritetin për Kosovën në këtë kohë krize. Mënyra për të thelluar këtë partneritet dhe mbështetjen për pjesëmarrjen tonë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Jam shumë krenar që Kosova ka kontribuar për agjendën tonë të përbashkët. Mendoj se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë indikatori i rëndësishëm se si Kosova po kontribuon në mënyrë pozitive për agjendën e përbashkët të demokracisë dhe lirisë”, theksoi ai.
Në anën tjetër, presidentja Osmani tha se vizita e Escobar rikonfirmon mbështetjen amerikane për Kosovën. Sipas saj, historia ka dëshmuar se angazhimi i ShBA-së në Kosovë dhe rajon është ekzistencial.
Zëvendës-ndihmës sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh i dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë. Pas takimit me krerët institucional, ai pritet të takojë edhe liderët opozitarë