Spahiu: Vizitat e shpeshta të Escobarit në Kosovë janë presion ndaj Serbisë

Aktuale

Spahiu: Vizitat e shpeshta të Escobarit në Kosovë janë presion ndaj Serbisë

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 13:47
Nexhmedin Spahiu

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka zhvilluar sot takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast në të dyja takimet e ka konfirmuar mbështetjen amerikane në aspiratat euroatlantike të Kosovës.

Kosovën ai e vizitoi edhe në fund të muajit gusht të këtij viti – pra pa kaluar dy muaj të plotë – ai e zhvillon edhe vizitën tjetër.

Klankosova.tv e ka intervistuar analistin politik, Nexhmedin Spahiun, për ta pyetur se si i sheh këto vizita të shpeshta të diplomatit amerikan.

Sipas Spahiut, vizitat e shpeshta të emisarit amerikan në Kosovë janë presion ndaj Serbisë dhe udhëzime për lidershipin politik të Kosovës.

“Kjo tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin me nxitim çështjen e përfundimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, do të thotë çështjen e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Thjeshtë janë përpjekje për ta nxituar dialogun dhe për ta çuar atë drejt përfundimit. Nuk do të thotë që marrëveshja është afër, por që Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta çojnë dialogun drejt finales”.

“Pengesë për arritjen e marrëveshjes është mosdakordimi i palëve për pazarin – se çka duhet të japë Kosova në këmbim të marrjes së njohjes nga ana e Serbisë. Në këtë pazar Kosova tenton të blejë njohjen nga Serbia sa më lirë, kurse Serbia ta shesë sa më shtrenjtë”.

“Kosova mendon që autonomia e serbëve të Kosovës që iu është dhënë me planin e Martti Ahtisaarit është e mjaftueshme që Serbia ta japë njohjen. Ndërsa Serbia kërkon që autonomia e serbëve në Kosovë të jetë një ‘Republika Serbska’ sikur në Bosnje e Hercegovinë – pra të ia japë njohjen Kosovën ashtu siç ia ka dhënë Bosnje e Hercegovinës me qëllimin që kur ta njoh [Kosovën] të jetë një shtet jofunksional”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat