Emisari special i SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar sot ka vizituar Kosovën.
Në kuadër të intensifikimit të dialogut, diplomati amerikan është takuar me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Kryetema e takimeve mes Osmanit dhe Kurtit, Escobar tha që ishte dialogu me Serbinë.
“Diskutuam edhe për çështjet e marrëdhënieve me Serbinë, implikimet rajonale nga dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj”, tha Escobar para mediave.
Pas kësaj deklarate të Escobarit, ish-koordinatori në dialogun Kosovë –Serbi, Skender Hyseni tha se nuk ka mbetur shumë kohë për një marrëveshje.
Hyseni tha se vizitat e shpeshta të Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, janë tregues i përkushtimit amerikan për Kosovën.
“Vizitat e shpeshta të Escobar janë tregues i saktë i përkushtimit amerikan për Kosovën. Edhe vizitat e shpeshta të Lajçakut si dhe emërimi i Emanuel Bone dhe Jens Plotner, për t’i dhënë një dinamikë të re dialogut janë, shenjë e qartë e konstatimit se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë nuk pret edhe shumë kohë”, tha Hyseni.
Ish-koordinatori, Hyseni tha se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë varet edhe nga gatishmëria e Vuqiçit dhe Kurtit.
Sipas tij, rekomandimet amerikane duhet të përfillen plotësisht.
“Për hapat që duhet bërë në drejtim të përmbylljes së dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, me një marrëveshje të përgjithshme, se a do të arrihet te një marrëveshje finale shpejt apo jo varet, nën një, nga vendosmëria e faktorit ndërkombëtar për të ushtruar trysni të duhur te palët dhe nën dy edhe më rëndësishme nga guximi dhe gatishmëria e Presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për vendime. Rekomandimet amerikane dhe evropiane duhet të përfillen dhe respektohen plotësisht”, u shpreh Hyseni.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka shprehur falënderime për Kosovën në vizitën që po zhvillon sot në vend, ai tha se ngjarjet e kësaj jave në Kosovë janë agjendë e demokracisë.
Përveç liderëve institucionalë, Escobar do të takohet sot edhe me përfaqësuesit e partive opozitare.