I dërguari i posaçëm i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar me përfaqësues serbë të mërkurën mbrëma.
Sipas njoftimit të Listës Serbe, në takim është diskutuar për situatën politike dhe të sigurisë.
Aty kanë marrë pjesë edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe të Kosovës.
“I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor u takua me kryetarin e Listës Serbe, kreun e grupit parlamentar dhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut. U diskutua për situatën aktuale politike dhe të sigurisë”, thuhet në postimin e këtij subjekti politik.
Escobar të enjten do të qëndrojë në Beograd, ku do të takohet me kryeministren dhe presidentin serb.