Hajdari: Sot kemi iniciuar padinë ndaj “Petit Fute”

Aktuale

Hajdari: Sot kemi iniciuar padinë ndaj “Petit Fute”

Më: 19 tetor 2022 Në ora: 21:31
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se sot kanë përcjellë kërkesën me të gjitha provat për inicim të padisë, te Avokatura Shtetërore, ndaj Shtëpisë Botuese “Petit Fute” për publikimin dëmtues ndaj vendit tonë.

Sipas saj, inicimi i padisë kundër Shtëpisë Botuese “Petit Fute” është bërë për arsye se e njëjta ka kryer veprime të kundërligjshme dhe të dëmshme për imazhin e Republikës së Kosovës, duke shkelur marrëveshjen e lidhur me Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve-KIESA duke mos publikuar materialin promovues të turizmit të dërguar nga KIESA, por ka publikuar një material që është kundërshtuar në vazhdimësi dhe ka bërë publikimin pa pasur miratim nga KIESA.

Po ashtu,  ajo tha se “Petit Fute” nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për largimin e shkrimit të artikullit në faqet 94 dhe 95 të katalogut të tyre, përkundër kërkesës dhe paralajmërimit nga KIESA-MINT.

“Historia e Republikës së Kosovës është e qartë dhe atë nuk mund ta ndryshojë askush. Ne jemi të përkushtuar që ta mbrojmë të vërtetën e historisë sonë, në mënyrë që ta mbrojmë dhe të ardhmen tonë përpara”, shkroi ajo në Facebook.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat