I dërguari Special i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka treguar se pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të japin kontribut për atë se si do të duket marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për Kanal 10, Escobar ka thënë se kjo i përket Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.3.0
“Sepse i përket Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të duket e ardhmja e marrëdhënieve të tyre – me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian. Duhet të jetë një proces që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Ju jeni në Evropë dhe aspiratat e të dyja vendeve janë që të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Dhe, kur ky proces të përfundojë do të hapë për ju mundësi më të mira ekonomike dhe të ardhme më të mirë politike. Prandaj, ne e mbështesim plotësisht këtë. Por, ne mbështesim edhe inkuadrimin e plotë të Kosovës në struktruat euro-atlantike, ku kemi zë. Por, për tani është e rëndësishme që të fokusohemi në dialog”, ka thënë Escobar.
Por, ka thënë se ShBA’të do të sigurohen që s’do të prekë pavarësinë, sovranitetin dhe funksionalitetin e pavarësisë së Kosovës.
“Pozicioni ynë është që marrëveshja finale duhet të jetë një udhërrëfyes për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Elementet e një marrëveshje të tillë varen nga vetë palët. Deri më tash, çdo fjalë e marrëveshjeve është shkruar nga Serbia dhe Kosova, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga SHBA-ja. Është shumë e mundshme që Evropa do të nisë të kontribuojë në atë se si duhet të duket kjo marrëveshje. Ne nuk do ta bëjmë këtë, por do ta përkrahim plotësisht dhe do të sigurohemi që çkado që del nga kjo nuk do të prekë pavarësinë, sovranitetin dhe funksionalitetin e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Escobar.