Abrashi-opozitës: Mund të keni obligime ndaj operatorëve që po i kundërshtoni çmimet tavan
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se opozita po e kundërshton Projektligjin për çmimet tavan pasi sipas tij, “partitë opozitare mund të kenë obligime ndaj operatorëve ekonomikë”.
Ai ka thënë se ky projektligj e synon pengimin e “spekulatorët e tregut”.
Ai po ashtu ka shtuar se “as operatorët ekonomikë nuk dëmtohen”.
“Lëvizja Vetëvendosje prioritet e ka mirëqenien e qytetarëve. Dora e shtetit duhet ta mbrojë qytetarin”.
Opozita si e tërë e ka kundërshtuar këtë projektligj.
Rizvanolli: Sot qytetarët po paguajnë deri 740 euro për 1 ton pelet
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që sa më parë ta votojnë Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Sipas saj, heqja e TVSH-së, nuk mund të ketë efekt tani kur kemi të bëjmë me spekulime dhe keqpërdorim të krizës për të rritur çmimet e energjisë.
Ministrja e Ekonomisë tha se qytetarët sot po paguajnë deri në 740 euro për 1 ton pelet, derisa çmimi i prodhimit nuk është nën 200 euro.
Rizvanolli: Ju lutemi ta votoni këtë ligj sa më herët që është e mundur
“Qytetarët sot paguajnë deri në 740 euro për 1 ton pelet, ndërsa vitin e kaluar ky çmim ka qenë 180 euro. Do të thotë kemi më se katërfishim të çmimit të peletit. Ndërkohë çmimi i prodhimit është nën 200 euro, është 150 deri në 180 euro që do të thotë se po flasim për një fitim prej 560 euro për çdo ton peleti që shitet. Heqja e TVSH-së që po e propozoni nuk ka të bëjë me këtë aspak. Heqja e TVSH-së nuk mund të ketë efekt në një kohë kur kemi të bëjmë me spekulime në një kohë kur kemi të bëjë me keqpërdorim të krizës për të rritur çmimet e energjisë. Ju lutemi ta votoni këtë ligj sa më herët që është e mundur është dashur të trajtohej javën e kaluar, por mbi baza procedurale partitë opozitare e keni kundërshtuar, ju lutem të mos e vononi më tepër këtë ligj dhe votoni sot menjëherë“, tha ajo.
Mustafa i LDK-së ia jep një “leksion” deputetit të Vetëvendosjes
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, e ka nisur fjalimin e tij në seancë me një “leksion” drejtuar kolegut nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi.
Ai teksa foli për projektligjin rreth masave për produktet esenciale, i tha Rrustemit se ekonomitë në botë ndahen në ato të lira dhe të kontrolluara.
“Po e fillojmë me një leksion për kolegun tim, Adnanin. Ekonomitë në botë ndahen në ekonomi të lira dhe në ekonomi të kontrolluara. Ato të kontrolluara, të gjitha kanë dështuar. Ka mbetur vetëm një, Koreja Veriore. Me gjasë keni filluar të merrni shembuj nga ta”, tha ai gjatë seancës së Kuvendit.
Sipas tij, ligji thotë se ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari do të merr vendime përmes një komisioni.
“Kush është në atë komision, si vendos ai komision. Ligji s’ka asnjë fjalë”, theksoi ai.
Tahiri i AAK-së “çmendet” nga Qeveria Kurti: A jeni more në mend?
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri është shprehur i indinjuar me projektligjin që Qeveria Kurti, përmes caktimit të masave të përkohshme të produkteve themelore, po tenton ta kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri tha se AAK-ja nuk e mbështet këtë projektligj, pasi thotë se është “ligj politik”.
“Ku në botë e cakton shteti apo ministria marzhën?”, pyeti i mllefosur Tahiri, gjatë Kuvendit.
Madje, ai iu drejtuar pushtetit se “a janë në mend” për caktimin e marzhës së produkteve esenciale.
“Neni 5, shihni vetëm pikën 1.2 thotë ndalimi i largimit nga shitja e produktit, neni 1.3 caktimi i marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë. A jeni more në mend?
Ku e cakton qeveria marzhën? Mbi çfarë baze qeveria ia cakton sektorit privat marzhën. Kaq, e kalkulon koston, dhe e përcakton profitin. Ky është shtet demokratik, i tregtisë së lirë”, theksoi ai.
Krasniqi: Diktimi i çmimeve sikur të ishim në Kinë ose Kubë, po mbetet në duart e një ministre me aktakuzë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në lidhje me diskutimin dhe propozimin e Qeverisë për të vendosur çmimet tavan në produktet bazë, ka thënë se parimisht janë kundër intervenimit të shtetit në vendosjen e çmimeve.
Sipas Krasniqit, kur ka nevojë për ndërhyrje të tilla, duhet të bëhen sipas kushtetutës, e jo në kundërshtim me të.
“Neni 119 i kushtetutës thotë qartë se duhet me pasë autoritete të pavarura që merren me intervenimin në treg në raste emergjente. Ministri nuk është organ i pavarur”, ka thënë Krasniqi. “Sot, nëse kish me hy ky ligj në fuqi, ne kishim me pasë një ministre me aktakuzë e cila kish me përcaktuar cilat produkte munden qytetarët me i ble, cilat jo dhe me çfarë çmimi. Ky është diktat. Kjo mund të ndodhë në Kinë ose në Kubë, por jo në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.
Me këtë projektligj, Kryetari i PDK-së ka thënë se do të mbyllen shumë minimarkete të vogla e mijëra qytetarë do të mbesin pa punë.
“Deri tash, kjo Qeveri dhe as ministritë që e kanë si obligim primar, nuk kanë paraqitur asnjë evidencë se rritja enorme e çmimeve po shkaktohet nga abuzues të çmimeve. Në fakt, ka qenë vetë kjo ministre që ka thënë se e kanë gjetë fajtorin për rritjen e çmimeve, duke i shpallë fajtorë marketet e vogla të lagjeve për këtë gjë. Atëherë ju kam thënë se e paskët ndërmend me ba një ligj që i mbyllë këto markete dhe, ja ku jemi sot, me pikërisht një propozim të tillë, i cili, fatkeqësisht, do të lë pa punë mijëra qytetarë”, ka thënë Krasniqi.
Për më tepër, ai ka thënë se kjo është ndërhyrje direkte në tregun e lirë dhe shkelje e ligjit.
“Një prej parimeve bazë në deklaratën e pavarësisë së Kosovës, është ekonomia e tregut. Këtë bazament ju sot po dëshironi me e thy. Ju e keni ba një ligj që nuk ka as afat kohor as asgjë. Në rast se duhet me u rregullu tregu, kryesisht në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, për këtë qëllim Republika e Kosovës themelon organe të pavarura, jo Qeveria me i diktu çmimet”, ka thënë lideri i PDK-së.
Më tej, kryetari i PDK-së i ka përmendur refuzimet e vazhdueshme që i kanë bërë për Qeverinë.
“Ju kemi ftu që një vjet me e heqë TVSH-në për çmimet esenciale, akcizën për naftë, që kishin me i ulë çmimet, keni refuzuar. E çka po bëni, tash e tutje dëshironi me ju tregu qytetarëve kur munden oriz e makarona me hangër”, ka përfunduar Kryetari i PDK-së.
AAK: Projektligji për masat e përkohshme të produkteve dëmton rëndë tregun e lirë
Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj theksoi se Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore i propozuar nga qeveria është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe e dëmton rëndë tregun e lirë.
Deputeti Lekaj tha se projektligji dëmton interesat dhe funksionimin e rregullt të firmave dhe kompanive prodhuese në Kosovë.
Lekaj: Projektligji dëmton interesat dhe funksionimin e rregullt të të gjitha kompanive
“Sa i përket këtij projektligji ka nevojë për ndryshime substanciale me qëllim që materia e projektligjit të jetë në interes të plotë të qytetarëve dhe e përshtatshme për bizneset dhe kompanitë operuese në tregun e Kosovës. Ky projektligj për momentin dëmton interesat dhe funksionimin e rregullt të të gjitha firmave prodhuese dhe kompanive tregtare në Kosovë. Ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSh-së për produktet bazë se sa për këtë projektligj, sepse është zgjidhja më e lehtë dhe më e duhura për mbrojtjen e qytetarëve nga ngritja e çmimeve. Kështu që këtë projektligj në shqyrtim të parë nuk do ta përkrahim”, tha ai.
PDK nuk mbështet Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore
Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka mbështetur Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të cilin e konsideruan si ligj i cili është i dëmshëm për ekonominë e tregut, konsumatorin dhe produktet themelore isanksionon e monopolizon skajshmërisë dhe politikisht.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala u shpreh se ky projektligj nuk ka të caktuar as momentin kur nis së zbatuari dhe as mbarimin.
Sipas tij ky projektligj me qëllim të mirë lë hapësirë të madhe që kthehet në dëm.
Shala: Ligji nuk ka as moment të përkohshëm të fillimit e as mbarimit
“Në shumë situata që është shkruar në draft-ligj tejkalon përmasat e një ligji qëllim mirë dhe lë hapësirë të madhe që ky ligj mund të kthehet edhe në dëm, apo edhe mund të përdoren situata të caktuara kundër bizneseve të caktuara për mënyrën dhe ruajtjen e konkurrencës apo aktualisht dhe aksidentalisht edhe për falimentimin e bizneseve të caktuara importuese apo konstatuese...Ligji nuk ka as moment të përkohshëm të fillimit e as mbarimit, pra nuk ka as fillim dhe as mbarim dhe as një lloj afati ky ligj, rrjedh pyetja natyrisht se kur hyn në fuqi ky ligj dhe sa zgjat kjo periudhë”, u shpreh ai.
Ai tha se komisioni i cili formohet për këto masa është puro politik.
Shala: Komisioni do të jetë puro politik
“Në draftligj shihet që komisioni formohet në këtë rast nga ministria pra është një komision puro politik. Komisioni ka kompetencë të madhe deri tek ndërhyrjet vullgare në treg e cila paraqet rrezik të lartë për ekonominë e tregut të lirë, komisioni sipas draftligjit ka kompetencë të lartë për përcaktimin dhe rangimin e produkteve esenciale dhe shkallën e destabilizimit të tregut, për masat ndaj operatorëve prodhues dhe tregtarë të produkteve”, theksoi Shala.
Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg,sipas deputetit të PDK-së, Ferat Shala nuk parasheh involvimin e nevojshëm të inspektorit dhe Agjencionit të Konkurrencës.
Shala: Nuk mbështesim këtë ligj që është i dëmshëm për ekonominë, konsumatorin dhe produktet esenciale
“Pajtohem 100% që ideja është dhe duhet të zhvillohet në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit, në drejtim të mbrojtjes së produkteve esenciale në drejtim të mbrojtjes së stabilitetit të tregut por kjo ide që është e shkruar në draftligj nuk pasqyron atë që u tha dhe që duhet me qëllimin më të mirë,. Prandaj në këtë situatë që është me këtë pozicion të draftligjit që e kemi PDK nuk mund ta mbështes kështu dhe duke u nis nga faktet tjera që në asnjë rast nuk keni krijuar si shumicë parlamentare mundësinë e draftimit dhe përmirësimit të ligjeve. Ne nuk mund ta mbështesim një ligj i cili është edhe keq i shkruar por edhe i dëmshëm për ekonominë, për konsumatorin dhe produktet esenciale i sanksionon dhe i monopolizon skajshmërisht dhe politikisht”, theksoi ai.
Kusari-Lila: Është e nevojshme të ketë kontroll për të ulur abuzimin me çmime
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se ka ardhur momenti ku çrregullimi i tregut duhet rregulluar me masa dhe veprime konkrete e ligjore që duhet miratuar nga ky kuvend
Në seancën e sotme ku po shqyrtohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, Kusari Lila tha se është e domosdoshme dhe urgjente ndërmarrja e këtyre masave me qëllim të zbutjes dhe kontrollimin e çmimeve të produkteve themelore.
Sipas saj, Qeveria dhe Kuvendi kanë marrë disa veprime për t’i ndihmuar qytetarët, por siç tha ajo megjithatë këto masa nuk kanë ndikuar në uljen e abuzimit me çmime.
Kusari-Lila: Është urgjente të marrim masa ndaj inflacionit duke kontrolluar çmimet
“Qëllimi kryesor është ruajtja e mirëqenies së qytetarëve dhe mbrojtja ligjore e konsumatorëve në raport me furnizimin me produkte themelore. Bashkë jemi në proces të krijimit të një rrjeti të sigurisë për kategoritë e lëndueshme. Në këtë proces është e nevojshme që mekanizimi ligjor dhe institucional të ndërhyjë dhe vendos kontrollin mbi atë çfarë ka hapësirë për abuzim. Në gjendjen aktuale, në të cilën shkalla e inflacionit po shënon rritjen dhe jo vetëm në vendin tonë, e bën të domosdoshme dhe urgjente ndërmarrjen e këtyre masave me qëllim të zbutjes dhe kontrollimin e çmimeve në produktet themelore… Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e veçanta dhe destabilzimit në treg, parasheh veprime konkrete të cilat ndihmojnë qytetarët në përballimin e inflacionit sidomos në produktet bazike duke përfshirë: drithërat, miellin, grurin, bukën, orizin, pastat, vajin ushqimor, qumështin, kripën, vezët, mishin e pulës, sheqerin dhe lëndët e drurit për djegie”, tha ajo.
Ajo ka ftuar deputetët që ta mbështesin këtë projektligj, pasi që sipas saj për çështjen e inflacionit pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë duke marrë veprime të cilat nuk janë praktikë e zakonshme.
LDK-ja e kundërshton Projektligjin për çmimet tavan
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj është kundër Projektligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Ajo e ka marrë shembull rastin e vendosjes së çmimit tavan për naftë, thotë se nafta vazhdon ta ketë çmimin e njëjtë.
Edhe partitë e tjera opozitare e kanë kundërshtuar këtë iniciativë.
“Ne jemi ekonomi e tregut të lirë, ekonomia e tregut të lirë nënkupton ndërhyrje minimale të shtetit dhe nënkupton që çmimet rregullohen në bazë të ofertës dhe kërkesës beso se askush nga ju nuk pret që të shpikni një rend të ri botëror”.
“Me vendosjen e çmimit maksimal të një produkti ju e vrani konkurrencën sepse ju po vendosni çmime të njëjta për të gjithë. Ju më këtë i shtyjeni mijëra dyqane të vogla drejt falimentimit. Kaq sa i përket ligjit të juaj dhe ne nuk do ta përkrahim”.
Gra të prekura nga kanceri i gjirit marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës
Një grup i grave të prekura me kancer të gjirit nga rogrami “Race for the Cure Kosovo 2022”, janë prezente në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Kur kryeparlamentari Konjufca tha se në sallën e Kuvendit janë edhe këto gra të guximshme, të gjithë u çuan në këmbë dhe duartrokitën.
Ato kanë shpërndarë shalla e fjongo, simbole të kësaj sëmundje.
Kanceri i gjirit, është sëmundja që u merr jetën miliona grave kudo në botë. Për të luftuar këtë sëmundje, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shpallur muajin tetor, si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit. Me një fjongo rozë dhe me më shumë vëmendje ndaj këshillave të mjekëve, mund të shpëtohen jetë.
Muaji i vetëdijesimit të Kancerit të Gjirit, ndihmon në rritjen e vëmendjes dhe mbështetjes për vetëdijen, zbulimin dhe trajtimin e hershëm, si dhe kujdesin për këtë sëmundje.
Statistikat tregojnë se përhapja e kancerit të gjirit është 1 në 8 femra. Simptoma e parë e dukshme që shfaq kanceri i gjirit është një gungë që ndihet ndryshe nga pjesa tjetër e indeve të gjirit.