I jepet lamtumira biznesmenit Bedri Rexhepi

Mesditën e sotme i është dhënë lamtumira e fundit biznesmenit Bedri Rexhpi, i cili u vra në prill të vitit të kaluar por mbetjet mortore të të cilët u gjetën vetëm para pak javësh.
Në ceremoninë e varrimit morën pjesë qindra qytetarë ndërsa u varros në varrezat e qytetit në Shtime.
Për vrasjen e Bedri Rexhepit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut të cilët janë në paraburgim.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti, ditë më parë në një konferencë për media deklaroi se Rexhepit i ishte marrë jeta për shkak të 30 mijë eurove, të cilët të dyshuarit mendonin se biznesmeni i kishte me vete pas një ujdie paraprake për shitjen e dy veturave.
Përmes një reagimi, familja Rexhepi të martën tha se presin që drejtësia të vihet në vend dhe të dyshuarit të cilëve iu është ngritur aktakuza të marrin dënimin e merituar.
“Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e tyre”, thuhej në deklaratë.
Familja Rexhepi tha se Bedriu ishte rënë pre e një mashtrimit me qëllim të grabitjes dhe, sipas tyre, i erdhi nga një familje të cilës i kishte ndihmuar.
“Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qëllim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar. Ne si familje, lutemi që rasti i Bedriut të jetë i fundit ku në pabesi shuhet jeta e një të riu”, vijoi reagimi.
---------------
Biznesmeni Bedri Rexhepi, i cili u vra mizorisht një vit e gjysmë më parë, u përcoll sot për në banesën e fundit në një ceremoni mortore ku të pranishëm ishin familjarë, miq dhe njerëz të afërm.
Bedri Rexhepi u zhduk në prill të vitit të kaluar e tek pas një viti e gjysmë u mor vesh se biznesmeni dyshohet se u vra në mënyrë makabre nga Jeton Vllasaliu, i cili ka pranuar vrasjen.
Pista e hetimeve çoi në mbetjet e tij mortore, që u gjetën 3 javë më parë në Novobërdë, derisa për vrasjen e tij është ngritur aktakuzë ndaj dy vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu.
Krimi dyshohet të jetë kryer në shtëpinë e një prej vëllezërve Vllasaliu, të cilët duket se kishin planifikuar gjithçka në detaje.
Plani për vrasjen e 38-vjeçarit thuhet të ketë filluar që nga 9 janari i vitit 2021, që i bie 3 muaj para ditës së vrasjes.