Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, për partitë opozitare.
Këtë e ka bërë të ditur për Klankosova.tv, zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, e cila tha se për temën e dialogut, Kurti duhet të raportojë vetëm në kuvend.
“Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak. Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke”, është shprehur Halimi.
Tutje, ajo tha se në marrëveshjen e njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme.
Kujtojmë se deri më tani vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka pranuar ftesën për takim nga kryeministri Kurti, ndërsa nga Partia Demokratike kanë thënë se janë në pritje të agjendës së plotë të takimin, e pastaj do të përgjigjen.