I arrestuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në Listën e Zezë të ShBA-ve

Aktuale

I arrestuari për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në Listën e Zezë të ShBA-ve

Më: 20 tetor 2022 Në ora: 17:10
Oliver Ivanoviq

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë e ka arrestuar një person të dyshuar për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Personi i arrestuar është, Milan Mihajloviç, person i afërt me Zvonk Veselinoviqin.

Milan Mihailoviç është në listën e personave ndaj të cilëve Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione.

Ai ishte përmendur edhe më herët si njëri nga të dyshuarit në këtë rast, por nuk ishte përfshirë në aktakuzën e ngritur.

Mihailović është një nga nëntë bashkëpunëtorët e Zvonko Veselinović-it që kanë punuar për të ose në emër të tij, poashtu i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Arrestimi është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.M., dyshohet si anëtar i grupit kriminal të organizuar ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘’Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 283 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ në vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë N.S., M.R., R.B dhe S.A., ku për të cilët është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Po ashtu, i njëjti që nga fillimi i vitit 2019, ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, edhe pse ka pasur Urdhërarrest në fuqi, dhe më datë 19.10.2022, në orët e mbrëmjes është arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të njëjtit do të vazhdohet me procedurat sipas Kodit të Procedurës Penale, ku brenda afateve ligjore do të bëhet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në mënyrë që procedura penale të vazhdoj pa pengesa.

Politikani Oliver Ivanoviq është vrarë më 16 janar të 2018 dhe rasti i tij akoma nuk ka marrë epilogë përfundimtarë nga Gjykata. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat