Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se procesi i Berlinit, po kthehet sërish në Berlin dhe tani do të kryesohet nga kancelari Olaf Scholz.
Rohde tha se ministrat nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nesër do të shkojnë në Berlin për të diskutuar për disa tema.
“Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin, i kryesuar nga Gjermania dhe i organizuar nga kancelari, Olaf Scholz. Gjatë ditës së nesërme, ministrat e brendshëm, të jashtëm dhe të energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë luftimin e krimit të organizuar, tregu i përbashkët rajonal dhe agjenda e gjelbër”, ka shkruar Rohde përmes një postimi në Twitter.
Më tej ai ka thënë se “është thelbësore të shfrytëzohet kjo mundësi, të ndërmerren hapa të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete në mënyrë që të sjellë përfitime për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
“Gjermania është e vendosur fort për të mbështetur dhe lehtësuar këtë proces dhe është e gatshme të marrë drejtimin për të nxitur sa më shpejt anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian!”, ka shkruar Rohde.
Ambasadori Rohde para disa muajsh ka thënë se kancelari gjerman po e promovon Procesin e Berlinit, sepse e kanë filluar ata, mirëpo shton se nuk do të kritikojnë shtetet që duan të fuqizojnë bashkëpunimin rajonal përmes iniciativës së “Ballkanit të Hapur”.
1/3 The Berlin Process is coming back to Berlin, chaired by 🇩🇪 and hosted by Chancellor Olaf Scholz. Over the next day’s interior, foreign and energy ministers of the WEB6 will discuss Combating Org. Crime, Common Regional Market and the Green Agenda. https://t.co/kTFgBYnB4q
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) October 20, 2022