Sveçla takon shefin e policisë gjermane, e fton për vizitë në Kosovë

Aktuale

Sveçla takon shefin e policisë gjermane, e fton për vizitë në Kosovë

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 12:59
Foto ilustrim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar me shefin e policisë së Gjermanisë, Dieter Romann, gjatë vizitës së tij në Berlin.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka bërë të ditur se me Romann kanë folur për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy policive dhe nevojën për forcimin e këtij bashkëpunimi tutje.

“Falënderova Dr.Romann për ndihmën e dhënë për Policinë e Kosovës si në ndihmën e vazhdueshme me pajisje të ndryshme teknologjike, ashtu dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore kryesisht për kontroll dhe siguri të dokumenteve, falsifikim, migrim dhe kontroll të kufirit. Theksova se përvoja e Policisë Federale Gjermane në ruajtjen dhe vëzhgimin e kufirit, luftimin e krimit në përgjithësi është jashtëzakonisht e rëndësishme për Policinë e Kosovës”, ka shkruar tutje Sveçla.

“Presidenti i Policisë Federale theksoi se bashkëpunimi me Policinë e Kosovë ka qenë i shkëlqyer dhe se do të vazhdojë tutje me qëllim të luftimit të trafikimeve të ndryshme, shkëmbimin e informatave, përfshirë këtu edhe luftimin e migrimit ilegal. Presidenti Romann shprehi gatishmërinë e tij për vazhdimin e mbështetjës konkrete duke intensifikuar projektet e përbashkëta si në fushën e avancimeve të kapaciteteve njerëzore, po ashtu dhe në avancimin e teknologjisë për luftimin e formave të ndryshme të krimit kryesisht ndërkufitar”.

Sveçla bëri të ditur se e ftoi Romann për një vizitë në Kosovë, për të parë nga afër progresin, por edhe sfidat me të cilat përballet Kosova.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat