Ekspertët: “Drafti gjerman për Asociacionin”, i papranueshëm për Kosovën

Aktuale

Ekspertët: “Drafti gjerman për Asociacionin”, i papranueshëm për Kosovën

Më: 21 tetor 2022 Në ora: 13:55
Foto ilustrim

I ashtuquajturi “Drafti gjerman për Asociacionin”, i cili u publikua dje, po vlerësohet si i papranueshëm për Kosovën. Ekspertë të së Drejtës Kushtetuese thonë se ky nuk duhet pranuar, pasi mundëson krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili dëmton Kosovën. Nga partia në pushtet ndërkaq kanë thënë se nuk ka propozim gjerman dhe se nuk mund të ketë asociacion jo kushtetues.  

Një draft-propozim për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i proklamuar si propozim gjerman, qarkulloi dje në mediet e Kosovës. Sipas këtij dokumenti 17 nenesh, Asociacioni është entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Marrëveshjen e parë dhe Kushtetutën e Kosovës. Në draft tutje thuhet se Asociacioni mund të bashkëpunojë me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë Serbinë, në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.

Duke komentuar “Draftin gjerman për Asociacionin”, Mazllum Baraliu, profesor i së Drejtës Kushtetuese, tha për Radio Kosovën se ky nuk duhet pranuar, pasi krijimi i Asociacionit të komunave serbe dëmton Kosovën.

“As kjo qeveri dhe asnjë qeveri tjetër nuk ka indirenca kushtetuese që të pranojë marrëveshje të tilla. Ajo është lidhur që shumë vite dhe nuk është zbatuar, sepse bëhet fjalë për një dokument i cili edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbetet një dokument i tillë që në fakt përbën një nivel të tretë të pushtetit. Pra, ngërthen në vete një republikë tjetër të Serbisë në Kosovë”, tha ai. 

Gjatë së enjtes, edhe profesor Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se “Drafti gjerman” për Statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është kundër kushtetues dhe se me këtë draft-statut, Kosova shndërrohet në “Republikë Srpska 2.0”.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, në konferencën e përjavshme për medie, ka folur për “Propozimin Gjerman për Asociacionin”. Ai ka thënë se nuk ka një propozim gjerman dhe se nuk mund të ketë një të tillë. E, prezantimet e dokumenteve të tilla, sipas tij, po bëhen me tendencë që të shtohet presioni për krijimin e Asociacionit.

Në fakt, ka vetëm një propozim. Është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, i cili duhet të formohet vetëm bazuar në ligjet ekzistuese të vendit. Nuk ka pushtet të tretë. Nuk ka asociacion i cili mund t’i tejkalojë ligjet dhe Kushtetutën vendit. Po duket se vullneti i serbëve është për të krijuar një asociacion që është në kundërshtim me përcaktimin e Kosovës si shtet multietnik”, tha ai.

 “Drafti gjerman për Asociacionin”, u publikua në kohën kur është në rritje presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për krijimin e Asociacionit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat